Emisioni Stop në Tv Klan ka trajtuar ankesën e një qytetarë në Kamzë, i cili ka më shumë se 1 muaj që nuk ka ujë në shtëpi, edhe pse aty është bërë investim i ri në rrjetin e ujësjellësit.
Të njëjtën problematikë, emisioni Stop e ka trajtuar edhe 1 vit më parë, por çështja atëherë u zgjidh. Por historia përsëritet.
Qytetari Klodian Zajmi shprehet është taksapagues i rregullt, por paguan ujin aforfe. Ai ka vajtur dhe është ankuar në zyrën e Ujësjellësit të Kamzës disa herë dhe gjithmonë i thonë që problemi do zgjidhet “nesër”. Por vetëm ia kanë shtyrë zgjidhjen.
Klodian Zajmi: Ka 1 muaj e gjysmë që nuk ka ujë. Ka 5 vite që jetoj këtu. Me ujë të pijshëm ne na furnizonte Kamza. Uji vjen me dy orare; 8:30 dhe 15:30. Afrofenë e paguajmë 12 mijë Lekë (të vjetra) në muaj. Edhe librezën e kam, i kam paguar të gjithë muajt. Para 15 ditësh ishte edhe vjehrri, u la me kusi. Shkova u interesova te zyrat, bisedova me përgjegjësinë që gjeta aty, bëra dhe deklaratë që këtë punë tha do ta shikojmë nesër. Nuk erdhën. Vajta prapë dhe më thanë hajde prapë. Vajta prapë, nesër prita se do vijë uji, nuk erdhi. Duke qenë se në zyrat dhe me shkresat që bëja unë nuk po më zgjidhnin punë, dola xhiro që të marr teknikët. Ata nesër, si gjithmonë. Ka 1 muaj që më thonë kështu. S’kanë sjellë asnjë gjë. Më në fund pata një komunikim me njërin nga teknikët.
Nga biseda me teknikun, edhe ky i fundit i thotë që “nesër” do ta shikojë rastin. Klodian kërkon ta takojë dhe tekniku i Ujësjellës Kamëz shprehet i gatshëm i thotë që të shkojë ta takojë te një lokal ku ai ndodhet.
Tekniku: Mos me e vrit trunin, në orën 3 më merr mu në telefon! Sa u ula me pi kafe. Unë këtu jam, në qoftë se ke mundësi ti….
Klodiani shkoi bashkë me gazetaren e Stop për të takuar teknikun, por ky i fundit sapo pa grupin e xhirimit të emisionit u fut në tualetin e lokalit dhe nuk doli andej deri sa u largua gazetarja.
Në kushte të tilla, Stop dhe qytetari shkuan në zyrat e Ujësjellësit të Kamëz, ku takuan një punonjës i cili i tha se nuk ka qenë në dijeni të kësaj situate dhe problemin do të shkojnë ta shikojnë “nesër”. Por pas insistimit të qytetarit dhe të gazetares së Stop, inxhinieri ra dakord që të shkonte po atë ditë për të parë problemin përse shtëpia e qytetarit nuk furnizohet me ujë. /tvklan.al