Disa video dhe foto ku shfaqej kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, në krah të kandidatit për deputet të Partisë Socialiste, Alqi Bllako, gjatë një takimi elektoral në ambjentet e bibliotekës “Moikom Zeqo” janë pranuar të enjten nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve si prova të mjafueshme për të konstatuar shkeljen e kodit zgjedhor nga ana e bashkisë.
Pasi shqyrtoi ankesën e paraqitur nga “Qendresa Qytetare” dhe dëgjoi pretendimet e palëve, Komisioneri Ilirian Celibashi tha se “çmoj se jemi përpara shkeljes administrative të përdorimit të aseteve publike për qëllime elektorale”. Sipas tij provat tregonin se në ambjentin e bibliotekës është zhvilluar veprimtari elektorale dhe se për këtë gjë përgjegjësinë duhet ta mbajnë administratorët e këtij aseti publik. “Do t’i kërkoj Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosjen e sanksioneve administrative”- tha ai.
Gjatë dëgjesës administratori i njësisë administrative nr.2, ku ndodhej biblioteka, Florian Pullazi, tha se në dijeninë e tij ky aset nuk është përdorur për qëllime elektorale. “Bibliotekat janë multifunksionale, janë të hapura për publikun dhe mund të përdoret nga kushdo mjafton të bëhet një aplikim në bashkinë Tiranë”- tha ai duke shtuar se nuk është dhënë leje për veprimtari elektorale.
Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i organizatës “Qëndresa Qytetare” ripërsëriti dhe një herë para komisionerit se çdo përdorim i aseteve publike për qëllime elektorale është në kundërshtim me kodin zgjedhor duke kërkuar që të merren masa ndaj këtij rasti.
Duke folur për BIRN, Xhemollari tha se “pavarësisht rezervave që kemi pasur dhe kemi gjatë gjithë vendimmarrjes së organeve të KQZ mendoj që ky është një hap para për sa i përket vendosjes së një standardi të ri në sjelljen politike të partive për të memorizuar dhe konsideruar si shkelje përdorimin e çdo aseti publik që cënon garën e lirë mes subjekteve zgjedhore”.
Në shkurt të këtij viti Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve e gjeti fajtor dhe gjobiti me 75 mijë lekë për shkelje të kodit zgjedhor kryebashkiakun Veliaj për shpërdorim të postit të kryetarit të bashkisë për fushatën elektorale të Partisë Socialiste./BIRN