Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur akuzave të Lulzim Bashës se në mbledhjen e firmave janë të përfshirë persona si Suel Çela apo Aqif Rakipi. Në një konferencë për mediat, Berisha u shpreh se kjo është një gënjeshtër e radhës e kryetarit të PD.
Pyetje: Ka patur akuza nga Basha se Suel Cela ka marrë peng kryetarët e grup-seksioneve për të firmosur, ndërsa është përfshirë edhe Aqif Rakipi për mbledhjen e firmave për thirrjen e Kuvendit Kombetar. Ju keni dijeni për mbledhjen e këtyre firmave?
Sali Berisha: Ka një fakt që është bërë e qartë si drita, që Lul Basha ose peng Basha nuk di gjë tjetër veçse di të gënjejë. Gënjeshtra e radhës e tij. Duhet të jeni të vetëdijshëm. Ai që gënjen të tijtë, ai nuk lë njeri pa gënjyer dhe unë këto kohë nuk kam gjetur një demokrat që të thotë nuk më ka gënjyer Lulzim Basha. Mund të jap edhe një përgjigje tjetër, por po e lëme. Po jap këtë përgjigje.
Ndërsa i pyetur nëse do të shkojë apo jo në Parlament, pasi prej disa kohësh ka munguar, Berisha u shpreh i vendosur që do të shkojë.
“Është e vërtetë, kam munguar në Parlament, do shkoj pa asnjë diskutim, por jam përqendruar në këtë mrekulli shqiptare, e cila më ka mahnitur dhe më ka tërhequr në të gjithë qenien time, por unë…kjo nuk do të thotë që nuk do shkoj në parlament dhe nuk do mbroj të drejtat e qytetarëve shqiptarë nga narkoshteti.
Foltorja krahasuar me polemikat vulgare të pengmarrësit dhe pengut të tij është disa herë me eprore dhe më tërheqëse. Kjo nuk do të thotë se nuk do shkoj në parlament”, tha Berisha.