Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim një person të dyshuar si autor të shpërthimit të ndodhur mbrëmjen e djeshme në kryeqytet. Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.2, identifikuan dhe shpallën në kërkim, shtetasin me iniciale A. B., 58 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:10, në rrugën “Mihal Popa”, dyshohet të ketë vendosur në derën e jashtme të banesës së një shtetasi një sasi lënde plasëse nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale.
Banesa ku ishte vendosur lënda shpërthyese rezulton në pronësi të shtetasit nga Gjirokastra, Vasillaq Stavri.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.