Zbardhen të tjera detaje nga mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, ku deputetja Grida Duma iu është bashkuar diskutimeve. Gjatë fjalës së saj Duma tha se Kuvendi i 18 dhjetorit, i shpallur sot nga Basha, duhet të jetë ditë reflektimi dhe mos të ketë ndjesa hipokrite
Mes të tjerash ajo tha se kulti i individit duhet të bjerë dhe të nisë gongu i garës. Demokratja nga ana tjetër i kërkoi Bashës që të bëjë PD-në një parti të së ardhmes.
“Po propozoni sot datën 18 për Kuvend, po është një akt i madh i përballimit. Unë besoj tek veprimi politik. Dëgjoj sot që kërkoni shpëtimin tek vota popullore. Krimet me të mëdha të njerëzimit janë bërë në emër të popullit. Sa herë kanë ulëritur ‘çdo populli bën partia’ është bërë ‘çdo partia bën populli’. A ka mbaruar apo jo koha e dikujt në këtë parti, e Sali Berishës?! Mbaj mend që në 2013 Sali Berisha tha: ‘Kam dhënë dorëheqjen e nuk kthehem kurrë!’.
A ka mbaruar apo jo koha e dikujt, një individi apo jo, kjo mbetet retorike. Ajo që di mirë është që koha ka ardhur që të zhduket kulti i individit! Ky Kuvend i datës 18 duhet të jetë reflektim i vërtetë, jo një ndjese hipokrite me problemet tona. Ky është një moment që shënon si do jetë fati i kësaj partie. E kjo parti duhet të jetë e vërtetë. Janë emëruar, promovuar e mbështetur njerëz me pa të drejtë për të mbajtur balancat dhe gjoja përfaqësimet. Kjo parti duhet të njohë mirë çfarë është gara, çfarë është meritokracia. Pas 30-vjetesh diskutohet serish që zgjidhja qenka po një njeri. Kulti i individit duhet të bjërë e të nisë gongu i garës. Kjo është mision për ty kryetar. Beje këtë parti një parti të të ardhmes.”, tha Duma.
Ndërkohë, Ledina Mandia, sekretare për çështjen e Pronave është shprehur pro mbajtjes së Kuvendit më datë 11 dhjetor.
Nga ana tjetër, Ervin Minarolli, sekretar organizativ tha se demokratët duhet të gjejnë një datë të përbashkët për Kuvendin që PD të bashkohet.