Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, ka kritikuar ashpër ish-nënkryetarin e Partisë Demokratike, Edmond Spaho, një nga mbështetësit e parë të foltores, që sipas tij ka marrë flamurin në dorë për të baltosur këdo që mendon ndryshe nga ai.
Për Ora News, Bardhi thotë se Spaho po ndjek strategji të gabuar që nuk e çojnë askund PD.
Bardhi: Nuk më keni dëgjuar kurrë të etiketoj askënd që mendon ndryshe dhe nuk do më dëgjoni kurrë. Ka kolegë që kanë marrë si mision të baltosin cilindo që mendon ndryshe prej tyre, dhe pse janë pakicë i lejojnë vetes të baltosin cilindo.
Ndjej keqardhje që këtë mision është duke e kryer me flamur në dorë ish-nënkryetari i partisë, një burrë në moshë, intelektual që ka marrë përsipër të fyejë, të baltosë cilindo që mendon ndryshe prej tij. Deri dje kur zoti Spaho ishte kryetar partie gjithçka ishte në rregull në PD, Lulzim Basha ishte më i miri.
Sot që Spaho nuk është më nënkyetar i Partisë Demokratike ka marrë mision për të baltosur kryetarin e partisë, sekretarin e Përgjithshëm, deputetët, nënkryetarët e partisë, pra cilindo që mendon ndryshe prej tij. Ku na çon ne kjo rrugë?