Presidenti i Republikës, Ilir Meta në qëndrimin e tij të fortë për zgjidhjen e krizës politike në vend, veç gatishmërisë për të shtyrë datën e zgjedhjeve, ka ripërsëritur kërkesën e tij për të lënë mandatin e kreut të shtetit.
Në argumentin e Ilir Metës theksohet fakti se lënien e mandatit ai e ofron si mundë që palët të arrijnë një zgjidhje gjithëpërfshirëse.
Meta shton se palët duhet të lënë me një anë retorikat, por të dëgjojnë apelin e Parlamentit gjerman.
“Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve.
U bëj edhe një herë thirrje palëve, të ndalojnë retorikat si reflektim i sinqertë ndaj apelit të Parlamentit Gjerman.
Të ndalojnë hartimet publike justifikuese dhe të angazhohen me sinqeritet dhe përgjegjshmëri për gjetjen e një zgjidhjeje sa më shpejtë dhe të qëndrueshme.
Ashtu siç deklarova me përgjegjësi më 20 mars nga Pogradeci, mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mire, stabilitetit dhe demokracisë së vendit, të vendos në dispozicion edhe mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qytetareve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë.
Askush nuk duhet të ketë frikë nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë që qëndron në themel të bashkëjetesës demokratike, pa garantimin e së cilës nuk mund t’i çelim as negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thekson Meta.