BallinaProfilPROFIL/Shuhet Bob Dole, hero lufte, figurë qendrore e politikës amerikane dhe mik...

PROFIL/Shuhet Bob Dole, hero lufte, figurë qendrore e politikës amerikane dhe mik i Kosovës

spot_img
spot_img

Ish senatori republikan, Bob Dole, një hero i Luftës së Dytë Botërore, vdiq të dielën në moshën 98 vjeçare.

Me gjithë plagët e rënda nga Lufta, Sen. Dole u bë një nga figurat më të njohura të politikës amerikane, udhëheqësi i Senatit, kandidat republikan për president dhe më pas simbol i brezit të veteranëve të Luftës së Dytë Botërore.

Gruaja e tij, Elizabeth Dole, e postoi njoftimin të dielën në Twitter. “Ai i ka shërbyer Amerikës për 79 vjet me radhë”, shkroi ajo.

Presidenti Joe Biden e kujtoi me dashuri vizitën e tij tek zoti Dole në shkurt të këtij viti, në kompleksin Watergate në Uashington ku ai jetonte.

“E vazhduam bisedën aty ku e kishim lënë, sikur kishte kaluar vetëm një ditë që kur qeshnim së bashku në dhomën e ngrënies së Senatit ose debatonim për çështjet kryesore të ditës, shpesh me qëndrime të kundërta në sallën e Senatit.” tha zoti Biden në një deklaratë.

“Megjithëse shpesh nuk pajtoheshim, ai kurrë nuk hezitoi të punonte me mua ose me demokratë të tjerë kur bëhej fjalë për çështje të rëndësishme,” tha zoti Biden në një deklaratë, në kontrast me ndasitë e hidhura politike të sotme që e kanë bërë të vështirë për partitë e mëdha të bashkëpunojnë për legjislacionin”, vazhdoi ai.

“Kur mendoj për brezin më të madh, mendoj për senatorin Bob Dole — një njeri që ia kushtoi jetën shërbimit të vendit tonë. Pusho në paqe, miku im,” shkruante Senatori Mitt Romney, një ish-kandidat republikan për president, në Twitter.

Udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell, e vlerësoi zotin Dole si “një hero të mirëfilltë amerikan”.

“Kushdo që e kishte parë Bob Dole në veprim, pa dyshim e admironte karakterin e tij dhe patriotizmin e tij të thellë,” tha zoti McConnell në një deklaratë.

Kryetarja demokrate e Dhomës Demokratike të Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, urdhëroi që flamujt në Kapitol të uleshin në gjysmë shtizë në shenjë nderimi për zotin Dole, tha në Twitter zëvendës shefi i saj i kabinetit, Drew Hammill.

Senatori Dole njoftoi në shkurt 2021 se ishte diagnostikuar me kancer në mushkërive.

Një karrierë historike në Senat

Gjatë karrierës së tij 36-vjeçare në Kongres, zoti Dole u bë një nga ligjvënësit dhe udhëheqësit e Partisë Republikane më me ndikim në Senat. Ai kishte talentin për të arritur kompromise dhe një mprehtësi të veçantë, që shpesh e përdorte në batuta si kundër të tjerëve edhe vetes.

Ai i dha formë politikës tatimore, politikës së jashtme, programeve të bujqësisë dhe të drejtave për persona me aftësi të kufizuara.

Zoti Dole ia kushtoi përpjekjet e tij në vitet e mëvonshme të jetës, kauzës së veteranëve të plagosur, të rënëve të luftës dhe kujtimit të brezit që po shuhet të veteranëve të Luftës së Dytë Botërore.

Zoti Dole ishte nga Kansasi, por iku që atje që i ri, dhe kaloi pjesën më të madhe të jetës në kryeqytet, në qendër të pushtetit. Kur u largua nga politika dhe iu bashkua një firme ligjore ku shumica e kolegëve të tij ishin demokratë me peshë, ai bënte shaka se e merrte qenin e tij me vete në punë, që të kishte një tjetër republikan me të cilin të fliste.

Kandidat për president

Ai u përpoq tre herë të bëhej president. Gara e tij e fundit ishte në vitin 1996, kur fitoi emërimin republikan, por humbi ndaj Presidentit Bill Clinton i cili u rizgjodh për një mandate të dytë.

Ai hyri në garë për emërimin nga partia e tij në në vitet 1980 dhe 1988 dhe ishte kandidati për zëvendëspresident i Partisë Republikane në vitin 1976 kur presidenti Gerald Ford e humbi garën për një mandat të dytë.

Gjurmët e Luftës

Gjatë gjithë kësaj kohë ai mbajti me vete gjurmët e luftës. Duke luftuar ndaj forcave gjermane në Italinë veriore në vitin 1945, zoti Dole u godit nga një fragment predhe dhe si pasojë iu shtypën dy rruaza kurrizore dhe u paralizua nga krahët dhe këmbët.Iu deshën tre vjet rikuperimi në spital dhe dora e djathtë i mbeti gjithë jetën e paralizuar.

Për të mos t’i vënë në pozitë të vështirë ata që përpiqeshin t’i shtrëngonin dorën e djathtë, Senatori Dole gjithmonë mbante një stilolaps dhe shtrinte dorën e majtë.

Sen. Dole nuk i kursente nga komentet e hidhura rivalët e tij, demokratë apo republikanë. Kur George H.W. Bush e mundi atë në zgjedhjet paraprake republikane në New Hampshire në vitin 1988, zoti Dole tha: “Mos gënjeni për arritjet e mia “. Sot një shprehje e tillë mund të tingëllojë e zbehtë përballë gjuhës fyese në arenën aktuale politike, por në atë kohë ishte shokuese.

Por kur ish-presidenti Bush vdiq në dhjetor 2018, rivalitetet e vjetra u harruan pasi zoti Dole shkoi para arkivolit të zotit Bush në Kapitol.

Ish-Senatori Bob Dole nderon ish – Presidentin George H.W. Bush

Ndërsa një ndihmës e ndihmonte të ngrihej nga karrigia me rrota, zoti Dole i sëmurë dhe i mbushur me trishtim, drejtoi me ngadalë trupin dhe përshëndeti në mënyrë ceremoniale rivalin e dikurshëm me dorën e majtë dhe mjekrën që dridhej.

Megjithëse stilin e tij luftarak të të bërit politikë, zoti Dole kishte një besim të thellë tek Senati si institucion dhe shumë demokratë e respektonin, madje dhe e donin atë.

Dole fitoi një vend në Kongres në vitin 1960, duke përfaqësuar një distrikt perëndimor të Kansasit. Ai kaloi në Senat tetë vjet më vonë kur presidenti aktual republikan Frank Carlson doli në pension.

Atje, ai përdori retorikë të ashpër partiake dhe sarkastike, në mbështetje të Presidentit Richard Nixon. Ai u shpërblye për besnikërinë e tij kur iu dha kryesia e Komitetit Kombëtar Republikan në vitin 1971, përpara se presidenca Nixon të rrëzohej nga skandali Watergate.

Ai shërbeu si kryetar komisioni, udhëheqës i shumicës dhe udhëheqës i pakicës në Senat gjatë viteve 1980 dhe ’90. Ai ishte udhëheqësi i republikanëve në Senat për gati 11 vjet e gjysmë gjithsej, një rekord derisa Senatori i Kentakit Mitch McConnell e theu atë në vitin 2018. Gjatë kësaj periudhe që ai fitoi reputacionin si një ligjvënës mendjemprehtë, pragmatik, i palodhur në arritjen e kompromiseve.

Pasi republikanët fituan kontrollin e Senatit, zoti Dole u bë kryetar i Komisionit të Financave.

Zoti Dole u bë udhëheqës i Senatit në 1985 dhe shërbeu si udhëheqës i shumicës ose pakicës, në varësi të partisë që kishte shumicën, derisa dha dorëheqjen në 1996 për t’iu përkushtuar garës presidenciale.

Ajo fushatë, e fundit e zotit Dole, ishte e mbushur me probleme dhe zoti Clinton fitoi me një diferencë të thellë.

Pasi jetës si figurë politike, zoti Dole u bë një burrë shteti me përvoi që ndihmoi zotit Clinton të miratonte një traktat për armët kimike. Ai gjithashtu iu përkushtua ambicieve politike të gruas së tij.

Elizabeth Dole kandidoi pa sukses për emërimin presidencial republikan në vitin 2000 dhe më pas shërbeu një mandat si senatore nga Karolina e Veriut.

Në vitin 2016, zoti Dole fillimisht mbështeti ish-guvernatorin e Floridës Jeb Bush për si kandidat republikan. Ai më pas e mbështeti presidentin Donald Trump.

Por gjashtë javë pas zgjedhjeve të vitit 2020, ndërsa zoti Trump vazhdonte të refuzonte humbjen, zoti Dole i tha gazetës Kansas City Star, “Zgjedhjet kanë përfunduar.”

Në shtator të vitit 2017, Kongresi votoi për t’i dhënë Dole shprehjen më të lartë të vlerësimit për kontributet e shquara për kombin, Medaljen e Artë të Kongresit. Një dekadë më herët ai kishte marrë Medaljen Presidenciale të Lirisë.

Kongresi e nderoi zotin Dole përsëri në vitin 2019 duke e promovuar atë nga kapiten i ushtrisë në kolonel, në njohje të shërbimit të tij ushtarak.

Angazhimi për Kosovën

Shqiptarët do ta kujtojnë zotin Dole si njeriun që u angazhua herët në politikën amerikane për Kosovën dhe luajti rol të rëndësishëm në procesin që çoi në krijimin e shtetit të pavarur.

Lidhjet e senatorit me shqiptarët kishin filluar në fund të viteve 1980, kur Kosova ishte nën shtypjen e Sllobodan Millosheviçit.

Një pikë kthese u shënua me vizitën që zoti Dole, në atë kohë udhëheqës i republikanëve të Senatit, bëri në Prishtinë, në vitin 1990.

Senatori kishte shkuar në Kosovë me një mesazh të qartë.

“Ne besojmë fuqimisht tek demokracia, ne besojmë tek liritë individuale dhe jemi kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut”, tha ai në Prishtinë.

Bob Dole në Prishtinë në vitin 1999

Në shtator 1998, pas kthimit nga një vizitë ne Kosovë, Bob Dole i bëri thirrje administratës Clinton për veprime energjike.

“Ka nga ata që thonë se gjendja në Kosovë është e ndërlikuar, – shkruante senatori në atë kohë. – Në fakt gjendja është më e qartë se kurrë. Kjo është një luftë kundër civilëve dhe ne e dimë se kush është përgjegjës: Sllobodan Millosheviçi.”

Aktivistët shqiptaro-amerikanë thonë se ishte senatori Dole që e bindi ish-Presidentin Bush të mbështeste pavarësinë e Kosovës.

Në gusht të vitit të kaluar në Prishtinë u zbulua një bust i senatorit Dole. Në mesazhin dërguar me video me atë rast, senatori shprehu shpresën se Kosova do të përparojë dhe do të bëhet gjithnjë e më e fortë.

Nga fëmijëria në Kansas tek majat e politikës amerikane

Robert Joseph Dole lindi më 22 korrik 1923, në Russell, një komunitet bujqësor dhe naftëmbajtës në Kansasin perëndimor. Ai ishte i pari ndër katër fëmijë. Babai i tij drejtonte një biznes bulmeti kremi dhe vezësh dhe menaxhonte një ashensor drithërash, dhe nëna e tij shiste makina qepëse dhe fshesa me korrent për të ndihmuar familjen gjatë Depresionit të Madh.

Zoti Dole ndoqi Universitetin e Kansasit për dy vjet përpara se të rekrutohej në ushtri në vitin 1943.

Dole u takua me Phyllis Holden, një terapiste në një spital ushtarak, teksa po shërohej nga plagët e luftës në vitin 1948. Ata u martuan dhe patën një vajzë, Robin. Çifti u divorcua në vitin 1972.

Dole e filloi karrierën e tij politike kur ishte student në Universitetin Washburn, duke fituar një vend në Dhomën e Përfaqësuesve të Kansasit.

Ai u takua me gruan e tij të dytë, Elizabeth Dole, ndërsa ajo punonte për Shtëpinë e Bardhë Nixon. Ajo shërbeu gjithashtu në Komisionin Federal të Tregtisë dhe si sekretare transporti dhe sekretare e punës, ndërsa Dole ishte në Senat. Ata u martuan në vitin 1975.

Dole botoi një autobiografi për përvojat e tij të luftës, “Historia e një ushtari”, në vitin 2005. Instituti Dole për Politikën në Universitetin e Kansasit mban një arkiv të veteranëve të Luftës së Dytë Botërore nga Kansasi.

Pjesë nga ky artikull janë nga shërbimi shqip i Zërit të Amerikës dhe agjencia Reuters

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular