Konflikti për pronën ka përplasur nënë e bijë, të cilat kanë debatuar ashpër me njëra-tjetrën.
Tatjana dhe vajza e saj Suela janë përballuar në rubrikën “Shihemi në gjyq”, ku kanë treguar edhe argumentet e tyre.
Suela kërkon pjesën e saj të pasurisë nga familja, ndërsa Tatjana ngul këmbë që pasuria i takon të birit pasi sipas saj nuk do që ta ndajë objektet e pronësisë me dhëndrin.
“Vajza e ka shtëpinë tek burri”, shprehet Tatjana.
Ja debati:
Eni Çobani: Tatjana ne nuk duam që të të vëmë në vështirësi, unë e kuptoj që vjen pas një fatkeqësie shumë të madhe, por pasuria është diçka që fëmijët e duan.
Tatjana: Kjo duhet të ja lërë djalin. Pse të mos ja linte, vëllai e pret dhe kur vjen kjo nuk ia mbyll derën.
Suela: Pse të vi mik, unë në shtëpinë time? Unë jam zonjë shtëpie. Nuk arrij ta kuptoj këtë mentalitet kështu.
Eni Çobani: Do ta bënim dot një marrëveshje për pak lëshim ndaj Suelës, për atë që i takon?
Tatjana: Meqë ngul këmbë, do t’i japim pjesën që i takon. Por të vijë ajo që t’i ndjekë gjyqet dhe jo të shpenzoj unë me gjyqet. Këto pasuritë e tua janë, por shpenzime ka.
Suela: Unë do të flas me mamanë, gjithmonë nëse ajo më hap telefonin sepse deri tani i ka të mbyllur numrat.
Tatjana: Të zgjidhim njëherë problemin, pastaj i bëjmë të gjitha.
****
Eni Çobani: Objekti ku ndodhet dhe për çfarë pasurie flasim?
Suela: Flasim për një objekt 2-katësh që ndodhet në qytetin e Maliqit, është ndërtuar nga nëna dhe babai im, në atë kohë ne kemi qenë të vegjël. Ai objekt është dyqan kati i parë dhe babai im i ndjerë kur e ndërtoi këtë dyqan e bëri me qëllim që ‘kjo derë është e vajzës dhe kjo është e djalit’. Ishte dëshira e tij, nuk ka lënë gjë me letra. Nuk arriti sepse sëmundja ishte e pashërueshme dhe ndodhi gjthçka shumë shpejt.
Eni Çobani: Kur ka humbur jetën bashkëshorti?
Tatjana: Ka rreth një vit dhe 3 muaj që ka humbur jetën. Po kësaj nuk i vjen rëndë që më sjell mua këtë njëherë?! Më vjen turp nga njerëzit që na shikojnë.
Suela: Mua më takon ajo.
Tatjana: Çfarë të takon ty? Asgjë nuk të takon!
Suela: Është pjesa që më la babai dhe unë atë kam.
Tatjana: Unë atë shtëpi do të ja lë djalit. Me llafe ta ka lënë babai ty?
Suela: Po, nuk arriti që të bënte dokumenta.
Tatjana: Unë atë shtëpi përderisa jetoj me djalin do të ja lë djalit, nuk do të fus dhëndrin në pjesë aty. Ti e ke shtëpinë te burri, atje e ke.
Suela: Jo moj mama se kam pjesën time unë.
Tatjana: Unë shtëpi nuk të jap sepse e kam me djalin dhe me nusen.
Suela: Mama, pjesa që më takon unë do ta marr dhe prandaj të kam sjellë këtu!
Tatjana: Unë nuk ta jap.
Suela: Për shumë kohë jam munduar që ta zgjidhim në mënyrë të paqtë, por po shikoj se veprimet e tua lënë shumë për të dëshiruar.
Tatjana: Pse të jap unë pasurinë në moshën 62 vjeçe moj çupë? Unë po dhashë pasurinë, kam dhënë pushtetin!
Ardit Gjebrea: Nuk është njësoj si djali, si vajza?
Tatjana: Vajza është e ikur nga shtëpia, e ka shtëpinë tek burri, por unë nëse do të kisha një shtëpi 4-katëshe do të thoja që këtë ia lëshoj djalit e këtë vajzës.
Suela: Po 2 katëshe e ke moj, të mjaftojnë që t’i ndash.