Një vajzë milionere ka sfiduar veten duke provuar çdo të thotë të jesh e pastrehë.
Isabella James, e cila studion për psikologji biznesi dhe udhëton botën, vendosi të provojë se nuk është një ‘princeshë’ duke marrë pjesë në eksperiment.
“Gjithmonë jam paragjykuar për mënyrën sesi dukem. Njerëzit mendojnë se jam vajzë e bukur me një mënyrë jetese luksoze”, tha 21-vjeçarja. “Mund të dukem si princeshë, por unë jam shumë më shumë sesa kaq”.
James zbuloi planin e saj për të bërë para duke mbledhur plastikë dhe kanoçe, dhe duke i shitur në supermarkete. Por ajo pretendon se nuk dëshiron të lypë.
21-vjeçarja tha se beson që njerëzit e pastrehë janë ‘rehatuar’ me atë mënyrë jetese dhe nuk ngrihen për të bërë ndryshim për veten.
“Të pastrehët mund të bëjnë më shumë për tu larguar nga rrugët”, argumentoi ajo, duke shtuar se nuk pajtohet me lypjen sepse sipas saj të presësh që njerëzit të të mbushin duart me para kur ti nuk punon është e padrejtë.
Po mendimet e saj ndryshuan rrënjësisht kur provoi jetën si një person i pastrehë në rrugët e Londrës lindore.
James ngriti “kamp” në Stratford, një nga pikat më të rrezikshme të kryeqytetit. Duke pranuar se ishte nervoze, 21-vjeçarja u përpoq të përshtatej.
Ajo e kaloi natën duke fjetur në një karton. Pas agimit, James u nis për kërkimin e ushqimit për mëngjes dhe arriti ti sigurojë vetes ushqim në një kuzhinë në kishë.
Kur plani i saj për mbledhjen e qeseve plastike nuk u realizua, u përpoq të gjente punë në lavazh, por në mënyrë të pasuksesshme, pasi nuk kishte kartën e identitetit.
Duke pranuar se ishte frustruar, filloi të mendojë se puna nuk ishte një mundësi, madje shmangu edhe planin e mëparshëm për të kënduar dhe kërcyer për para, pasi i ngjan me lypjen.
“Ndjehem plotësisht i degraduar,”-pranoi ajo. E dëshpëruar filloi të ndante historinë me kalimtarët dhe arriti të grumbullonte 45 funte. Por nuk e kalonte dot natën në hotel për shkak të kartës së identifikimit.
James e kaloi sërish natën jashtë me një person tjetër të pastrehë.
E intriguar për të ditur se si gratë e tjera mbijetojnë në rrugë, James iu bashkua Cathyt dhe qenit të saj Bobby.
Cathy ka fjetur në rrugë për 8 vite, pasi asaj dhe të dashurit i cili është i varur nga droga i morën fëmijët.
Ajo gjithashtu ishte e varur nga droga por e ka kapërcyer dhe flet me fëmijët e saj, përveç djalit të madh që nuk dëshiron të ketë kontakt me të.
“Kam vite që jetoj kështu, por ka ende raste kur frikësohem në rrugë”, i tregoi Jamesit Cathy.
Pas natës së saj të fundit në rrugë, James u kthye në jetën e saj të rehatshme por me mendime tashmë ndryshe.
“Jam përballur me disa të vërteta që nuk i imagjinoja kurrë. Idetë e mia fillestare ishin të gabuara. Nuk e dija sesa e vështirë ishte të gjeje një punë apo një vend për të fjetur. Përvoja ishte e madhe dhe testuese për mua. Por gjithashtu më mësoi shumë për të pastrehët”, tha 21-vjeçarja.
Për të siguruar që eksperienca e saj nuk ishte e kotë, tani James ka ndërmarrë misionin për të ndihmuar njerëzit që nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të jetojnë në rrugë dhe ka kërkuar nga qeveria që të ndryshojë ligjin për ta bërë më të lehtë për personat e pastrehë të marrin kartën e identitetit./oranews