18 vite më parë, më 9 dhjetor të vitit 2003, në Kombet e Bashkuara u mblodhën përfaqësuesit më të lartë të 100 shteteve nga mbarë bota, për të nënshkruar Konventën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit. Shqipëria ishte një shtet nënshkrues i Konventës që më 9 dhjetor 2003. Sot, bilanci i vendit tonë në luftën kundër korrupsionit është sa i trishtë, aq edhe mjeran.
Bujar Leskaj: Përse vimë kokëulur në Ditën Botërore Kundër Korrupsionit!
Nga Bujar Leskaj
Renditemi ndër vendet më të korruptuara të Evropës!
Në janar 2021, organizata prestigjoze Transparency International publikoi Indeksin e saj të Perceptimit të Korrupsionit (//www.transparency.org/en/cpi/2020/index/alb) për vitin 2020. Vendi ynë pozicionohet ndër vendet më të korruptuara në Evropë, në vendin e 104-rt, duke u kaluar nga vende si Tanzania, Etiopia, Kazakistani dhe Gambia. Në vitin 2017, në renditjen e Transparency International(://www.transparency.org/en/news/corruption-perceptions-index-2017), ishim në vendin e 84-rt. Kemi zbritur 20 pozicione!
Korrupsion nëpërmjet Shtetit të kapur
Më 30 mars 2021, Organizata Transparency International dhe Instituti Shqiptar për Demokraci e Ndërmjetësim publikuan një raport mbi kapjen e shtetit, korrupsionin e lartë dhe ligjet me porosi.
Ligjet e bëra me porosi legalizojnë kapjen e Shtetit, duke vendosur rregulla që favorizojnë interesat private të beniaminëve të sektit, në dëm të interesit publik. Këto ligje zakonisht miratohen pa konsultime paraprake publike dhe nuk bazohen në vlerësime thelbësore të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Janë me dhjetra ligje dhe vendime të Këshillit të Ministrave(VKM) të tilla, por më kryesoret, ato ku Shteti dhe interesat e qytetareve janë dëmtuar më fort, janë: (i) Ligji special për Teatrin, (ii) Ligji për Mediat Audiovizive, (iii) Ligji për Lojërat e Fatit, (iv) Ligji për Lotarinë Kombëtare, (v) Ligji për Koncensionet dhe PPP-të, (vi) VKM e kthyer në ligj per autostradën Milot-Balldren dhe (vii) VKM e kthyer në ligj për kompaninë Air Albania.
Sekti në qeverisje e ka kolauduar në perfeksion grabitjen prej tij të pasurive dhe fondeve publike, duke alternuar korrupsionin tradicional me hipotekimin e parasë së ardhshme të takspaguesve, në shërbim të detyrimeve nga PPP-të e nënshkruara me oligarkët e vet.
Formula korrupsion e qeverisë Rama
Korrupsioni ndjek formulën e studiuesit të mirënjohur të tij me famë botërore, Robert Klitgaard(://scholar.cgu.edu/robert-klitgaard/wp-content/uploads/sites/22/2017/02/Holistic_Approach_1-08.pdf ) K = M + S – P ku K është korrupsioni, M monopoli, S sasia që mund të përfitohet nga korrupsioni (e quajtur ndryshe fuqia diskrecionale e korrupsionit, liria e veprimit të tij) dhe P përgjegjshmëria, llogaridhënia. Korrupsioni është i barabartë me monopolin, plus liri veprimi, minus llogaridhënien. Nëse aktiviteti është publik, privat apo jofitimprurës, kudo korrupsioni do të jetë shumë i mundshëm, kur dikush ka fuqinë e monopolit mbi një mall apo shërbim, ka fuqinë për të vendosur nëse do ta përfitosh atë dhe sa do të përfitosh, si dhe nuk është i përgjegjshëm.
Qeveria Rama ka eliminuar tërësisht llogaridhënien dhe përgjegjësinë. Kujtojmë që qeveria ka heshtur me kokëfortësi për shtatë vjet rrjesht, ndaj propozimit të bërë që në vitin 2013 dhe të sjellë në vëmendje çdo vit, nga një institucion kushtetues, për përgatitjen dhe miratimin në Kuvend të Ligjit për Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit Publik në vendim-marrjet individuale apo kolektive që i sjellin dëme të konsiderueshme Buxhetit të Shtetit. Në vend të transparencës dhe llogaridhënies, sekti në qeverisje ka sjellë “formulën” e tij: thello korrupsionin shumëplanësh, kap Shtetin, kap shoqërinë civile dhe keqmenaxho financat publike, duke u kredhur në borxhe të panumurta. Ai e realizon këtë formulë dhe qasje të tij, duke u ushtruar presion të përditshëm mediave dhe trysni opozitës.
Pandëshkueshmëria në apogje
Qeverisja Rama përfaqëson shtetin më të kapur në historinë e Shqipërisë, duke u mbështetur në tre shtylla: (i) në një rrjet marrëdhëniesh klienteliste, (ii) në procedime gjyqësore të korruptuara dhe (iii) në ligjet e bëra me porosi.
Ndërkohë që politikanët (kryesisht në qeverinë qendrore, por edhe në qeverisjen vendore), bashkëpunojnë me sektorin privat për të shfrytëzuar egersisht dhe barbarisht burimet e vendit, gjyqësori ende i korruptuar, siguron pandëshkueshmëri për këto veprimtari dhe u zgjat jetën skemave fitimprurëse korruptive.
xx
9 dhjetori i Ditës Botërore Kundër Korrupsionit është një moment i trishtë, i pagojë dhe gur kilometrik i nxirë për Shtetin shqiptar dhe qytetarët e tij sot, ngaqë ata nuk kanë asnjë trofe, asnjë arritje për të vendosur në altarin e luftës botërore kundër korrupsionit. Kanë vetëm një sekt që qeveris permes një butaforie dhe realiteti virtual 3D të pashoq, dhe që, për fat të keq, i ndihmuar nga një opozitë e dobët dhe në konflikt me veten, po trullos ose shurdhon zërat kritikë dhe kundër, duke arritur zenitin e marrëzisë së madhështisë së Liderit Global.
Shteti shqiptar dhe qytetarët e tij kanë sot qeverisjen Rama, që do të vijojë të shmangë llogaridhënien dhe transparencën, si të vetmet mjete efektive për të dekurajuar korrupsionin kudo në botë. Kanë një sekt të panginjur në pushtet, që do të vijojë t’i gënjejë e t’i shfrytëzojë pa mëshirë, duke zgjatur duart lakmitare e boshatisur xhepat e taksapaguesve shqiptarë, sot dhe për 13 vite në vijim.
Për më gjerë, gjeni në linkun.bujarleskaj.com
RELATED ARTICLES