Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, komentoi vizitën e ambasadorëve të kredituar në selinë blu, por edhe zhvillimet e fundit në PD.
Sipas Tabakut, ambasadorët kanë ardhur e folur për situatën aktuale në PD dhe zhvillimet e fundit, ndërsa nuk preferoi të ndante detaje të tjera.
Ajo tha se ndjen trishtim për situatën aktuale në parti, e theksoi se zgjidhja është Kuvendi i 18 dhjetorit, si Kuvend zyrtar e legjitim i PD, ku do të përcaktohet aksioni opozitar dhe vizioni i 4 viteve të ardhshme.
Takimi i PD me ambasadorët e akredituar në vendin tonë, kush e kërkoi këtë takim?
Tabaku: Ky ishte një takim i përbashkët i cili erdhi edhe në vazhdën e zhvillimeve në PD. Ambasadorët erdhën për të bërë një takim me PD zyrtare e për të bërë takim me situatën në të cilën ndodhemi. Ambasadorët mbajnë qëndrimet e tyre për zhvillimet në vend, por duhet kuptuar që ndonjëherë në politikë vlejnë më shumë veprimet dhe takimi i sotëm këtë tregoi. Unë s’do të them se çfarë u diskutua në takimin me ambasadorët. Ishte një takim me PD zyrtare për të diskutuar për situatën, kaq di të them. Në fakt nuk jam marrë me kolegët e mi, e vërteta është kjo që është. Kam dëgjuar kolegë që rrijnë e mburren se cilët mbështesin ambasadorët. Ndodhemi në një situatë ku nuk ka rëndësi të përfshijmë palë të treta.
Zoti Basha deklaroi qartazi që ky takim i shërbeu të djeshmesh, të sotmes dhe të ardhmes, çfarë nënkuptohet?
Tabaku: Besoj që i referohet faktit që diskutuam zhvillimet e fundit në PD dhe të ardhmen e PD. Të gjithë janë të interesuar për një opozitë denoncuese, me fakte, siç u bë me inceneratorët, siç po bëhet me masakrën zgjedhore, fokusi duhet të jetë në kundërshtarin tonë politik që është Edi Rama.
Si e gjykoni aktin e Berishës?
Tabaku: PD s’po kalon ditë të qeta. Isha në zyrën time duke punuar, më pas kishim dhe mbledhje. U ndjeva e trishtuar që PD ndodhet në një moment të vështirë. Nuk e gjykoj se është rasti që ne sot të diskutojmë për legjitimitetin e PD. Ka struktura, ka një statut, ka procedura të zgjedhura, ka standarde. Ashtu siç u tregua me vendimin e kryesisë, kjo duhet të jetë rruga përpara për të treguar në çdo forum vendimmarrës të PD që shumica është këtu. U ndjeva e trishtuar nga pamjet të them të drejtën. PD e ka betejën e saj me Edi Ramën. U ndjeva e trishtuar kur shikova ndarjen e ekraneve në atë ç’po ndodhte në PD.
Kuvendi i 11 dhjetorit thotë jeni shkarkuar nga pozicionet?
Tabaku: Unë s’kisha dyshim që Berisha më 11 dhjetor do të mblidhte mbështetës, do të kishte pjesëmarrje. Ai nuk ishte Kuvend ligjor i PD. Unë do të kisha dashur që debate të zhvillohet brenda PD, të mbetet aty, siç është bërë në këto vite. Nuk di të them për numrin e delegatëve sepse nuk kishte transparencë. E kam të pamundur të flas për këtë pjesë.
Çfarë pritet më 18 dhjetor?
Tabaku: 18 dhjetori, duke treguar me qetësi, që PD në shumicë pavarësisht nuk bën zhurmë, nuk është shumë televizive, strukturat më 18 dhjetor do të jenë atje. Strukturat janë në terren për të punuar për Kuvendin. Kjo situatë zgjidhet duke njohur strukturat që ke njohur vetë, duke vazhduar procesin ligjor e statutor që PD ka ndjekur në këto vite. Unë besoj që ia kemi borxh demokratëve, shqiptarëve, që të fokusohemi që kjo situatë të kalojë sa më shpejt e t’i rikthehemi punëve të rëndësishme Më 18 është Kuvendi zyrtar i PD. Në rend dite do të jetë strategjia dhe vizioni i kampit opozitar në 4 vitet në vijim. Është një Kuvend reflektimi. Besoj që do të jetë një Kuvend shumë ndryshe i PD.
Basha deklaroi që në këtë datë do të mblidhen firmat për referendumin
Tabaku: Nuk e kam ndjekur këtë deklaratë. PD ka struktura të zgjedhura, kryetar të zgjedhur që janë të fokusuar te Kuvendi i datës 18. Askush nuk ndihet mirë për ditët që po kalojmë, shpresoj që kjo situatë të kalojë sa më shpejt.
Ata ju kanë shkarkuar dhe ju marrin zyrat?
Tabaku: Nuk është kështu. Ata vijnë bëjnë mbledhje dhe largohen. Për mua kjo është diskutim historie e asaj që çfarë ka ndodhur. Nuk po bëjmë asgjë ndryshe nga ajo që është bërë më parë.
Cilat do të ishin zgjidhjet konkrete?
Tabaku: Ne jemi duke punuar për Kuvendin e datës 18, nuk di çfarë të them, unë zgjidhje konkrete këtë shikoj. Kolegët e mi votuan në një vendim kryesie, por në fund të ditës, u votua, ky është vendimi, kjo është shumica.
Ju keni vlerësuar zotin Berisha, si e cilëson aktin e tij?
Tabaku: Kundërshtari ynë i vetëm është Edi Rama, duhet të kalojmë sa më shpejt këto ditë në PD e të fokusohemi te lufta ndaj pushtetit dhe qytetarët shqiptarë.