Kosovë- Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti u shpreh sonte në emisionin Pressing në T7 se pret që edhe në Kosovë të ketë futje të personave në listën e zezë së SHBA-së. Ai ka komentuar futjen e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në atë listë duke thënë se do të ketë edhe të tjerë që do të futen në atë listë edhe nga Republika e Shqipërisë.
“Shiko ka pasur shumë zhurmë sa i përket SPAK-ut dhe arrestimit të udhëheqësve të shtetit shqiptar për korrupsion. Unë nuk mund them asgjë për zotin Berisha pasi nuk di. Ai ka qenë për 30 vjet një figurë qendrore në politikën shqiptare. Ashtu sikur Fatos Nano, Edi Rama dhe Ilir Meta. Unë besoj që në Shqipëri do të ketë edhe të tjerë që do të futen në listën e zezë të Departamentit të Shtetit. Mua nuk më takon të flas”, tha ai.
Ai thotë se personat që janë në pozita udhëheqëse në vende tjera, zakonisht futen në listë të zezë por nuk bëhet publike.
“Është një praktikë nga SHBA që kur një person është në pozitë udhëheqëse, futet në listë të zezë por nuk bëhet publike. Nuk besoj se ka lidhje me Kosovën. Nuk ka asnjë lidhje. Por zoti Berisha dhe ata e dinë pse. Unë nuk mund të flasë hiç, por edhe në Kosovë do të ketë listë të zezë të Amerikës”, shtoi Haliti.
Ai tregon se futja e disa ish-krerëve të UÇK-së në listë të zezë për përfshirje në luftën shqiptarëve për të drejtat e tyre në Maqedoninë e Veriut dallon nga futja në listë të zezë nga DASH tani.
“Dallon kjo futja në listë të zezë tani me atë të vitit 2001. Nuk i dimë arsyet pse disa krerë të UCK-së u futën në atë listë atëherë. Por tani dihet. Kush futet tani në listë të zezë të Amerikës, i bie që ka lidhje me korrupsion dhe krim. Unë mund të them se kur të futë në listë të zezë Amerika, nuk ki çfarë kërkon në politikë. Ai beson në vetvete. E ka dërguar në Francë padinë dhe ka të drejtë për vetvete që të luftojë nëse ai beson se është i pastër”, përfundoi Haliti./Gazeta Express