BallinaAktualitetFestime brenda apo jashtë vendit, ja çfarë kanë zgjedhur shqiptarët për festat...

Festime brenda apo jashtë vendit, ja çfarë kanë zgjedhur shqiptarët për festat e fundvitit

spot_img
spot_img

Fundvit në pandemi? Shqiptarët u thonë “po” udhëtimeve jashtë. Preferencat janë rajoni për çmime ekonomike dhe ata që duan t’i bëjnë qejfin vetes, Dubai dhe Egjipti…

Kush nuk i do udhëtimet? Në prag festash, ato bëhen zgjedhja ideale për të kaluar disa ditë me miqtë, familjarët apo partnerin. Alternativat turistike në shërbim të shqiptarëve janë duke u shtuar gjithnjë e më shumë dhe kjo ka nxitur prej disa vitesh gjetjen e ofertave, sipas buxhetit, për secilin udhëtar.

Pavarësisht pandemisë, zgjedhjet e shqiptarëve janë të shumëllojshme dhe agjencitë ia atribuojnë këtij fenomeni rritjes së vaksinimit dhe dëshirës për të udhëtuar pas dy fundviteve të fundit të kaluara në shtëpi.

Menjëherë pas festave të nëntorit, agjencitë turistike në kryeqytet thonë se nisi interesi për udhëtime për fundvit. Një pjesë e mirë e shqiptarëve kanë rezervuar më herët për festat e fundvitit dhe kjo ka ndodhur, kryesisht për destinacione më të largëta, megjithatë agjencitë raportojnë që udhëtimet në këto dy vite janë lënë “në minutë të fundit”, duke pritur çdo ndryshim të mundshëm politikash, për shkak të pandemisë

Tani, në mes të dhjetorit të 2021, aktorët e tregut shprehen se, destinacionet për Krishtlindje dhe për Vitin e Ri, janë prenotuar në rreth 70% të kapaciteteve brenda vendit dhe nuk mungojnë rezervimet për jashtë.

Zgjedhjet flasin për të njëjtat tendenca si vitet e mëparshme: rajoni për ski, sërish rajoni për natën e ndërrimit të viteve e deri te destinacionet ekzotike, ku një përqindje e ulët u lejojnë vetes luksin e 10 ditëve pushime.

Agjencitë turistike në Tiranë përmendin edhe një tjetër fenomen të viteve të fundit. Me rritjen e përdorimit të teknologjisë, përqindja e udhëtarëve është më e vështirë të përllogaritet, duke marrë në konsideratë se një pjesë e mirë e tyre i presin biletat dhe hotelet vetë, jo më nëpërmjet një agjencie turistike.

Edhe këtë vit, në preferencat e shqiptarëve, mbizotëron rajoni: Mavrovë, Kolashin, Brezovicë me një paketë 4-5-ditore, të gjitha të përfshira, duke i shtuar edhe sportin e preferuar të skive, që u mungon në atdhe. Nga ana tjetër, Europa e shumëkërkuar e viteve të fundit, nuk është më në listë për shkak të kufizimeve të vendosura nga vende si Austria, Gjermania, Italia, etj. Krahas rajonit, Beogradi dhe Stambolli janë ndër zgjedhjet kryesore.

Këtë vit, çmimet janë të favorshme në Stamboll, një tjetër destinacion i lakmuar për shkak të mungesës së kufizimeve krahasuar me Europën. Në hotele të mëdha më emër, organizohet darka e Fundvitit, një nocion i panjohur dhe i pafestuar për vendasit.

Rajoni, zgjedhja më e lirë

Thuajse në të gjitha festat që shqiptarët kërkojnë të lëvizin jashtë, alternativa e parë që i vjen në mendje është rajoni. Arsyeja është çmimi, siç argumentojnë agjencitë turistike, por edhe mungesa e kufizimeve, krahasuar me Europën.

Me një avantazh të tillë dhe me organizime të mira për festa, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia e Veriut por edhe Serbia kanë pasur rezervime të shumta nga shqiptarët, për pushimet e fundvitit. Faktor kyç, sipas agjencive është afërsia, sidomos për familjet, edhe me fëmijë, që mund të zgjedhin të udhëtojnë me makinën e tyre drejt këtyre destinacioneve.

Infrastruktura e mirë dhe çmimi i leverdishëm e ka vendosur Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, me resortet e tyre të skive, në listën kryesore. Edhe Brezovica ka qenë e kërkuar, si dhe zona malore e Prizrenit, Prevallë etj. Nga agjencia Union Travel thonë për “Monitor” se çmimi i lirë i josh shqiptarët jo vetëm për festat e fundvitit, por për të gjithë ditët e pushimit të tyre.

Ata zgjedhin rajonin për darkën e ndërrimit të viteve, kryesisht në Budva apo Dubrovnik. Edhe Greqia ka kërkesa, pohojnë agjencitë, por këtë vit kanë qenë më të dobëta, për shkak të kërkesës së vaksinimit dhe kufizimeve me 48 orë të testit PCR.

Nga agjencia Kalemi Travel and Tours pohojnë se udhëtimet me autobusë në rajon, sidomos Selaniku dhe Stambolli, ndryshe nga vite më parë, nuk janë më të preferuara. Shqiptarët kërkojnë të udhëtojnë me avion ose makinë, sipas destinacioneve që kanë buxhetet e tyre.

Ndërsa Matias Travel and Tours pohon se Budva preferohet shumë për fundvit, për të cilën pyesin: “Çfarë festë organizohet dhe me cilët këngëtarë?” dhe më pas, për çmimin dhe hotelin. Sipas të gjithë agjencive të kontaktuara, çmimet në rajon variojnë nga 55 euro dy ditë deri në 160 euro maksimumi.

Krishtlindje dhe ski, sinonim i njohur

Mavrova, Kolashini dhe Brezovica janë tre destinacione, të cilat zgjidhen nga shqiptarët për festa. Po arsyet janë tre: duan të bëjnë ski, infrastruktura e të cilëve nuk gjendet në Shqipëri; e dyta janë të lirë, ofertat janë joshëse dhe e treta, janë afër dhe shpenzohet pak ditë. Nga Hima Travel pohojnë se kjo tendencë duket edhe këtë vit, pasi kërkesat janë të shumta, kryesisht nga të rinjtë.

Nga Union Travel pohojnë për “Monitor” se Kolashini ka marrë më tepër vëmendje këtë vit. Megjithatë, shtojnë ata, është ende herët për të dhënë një panoramë të qartë, prenotimet tani kanë nisur.

Nga të gjitha agjencitë pohohet një rritje e ndjeshme e çmimeve për paketa turistike, nisur nga kostot e hoteleve që ofrojnë shërbim krahas masave të Covid, si dhe kostot ekstra të udhëtarëve që janë testet PCR.

 

Darka gala e fundvitit

Stambolli, ndonëse është një ndër destinacionet më të kërkuara dhe të preferuara për shqiptarët, ndryshe nga vendet europiane, nuk ka traditën dhe atmosferën për Krishtlindjeve dhe Natën e Ndërrimit të Viteve.

Turqia nuk i ka traditë këto dy festa. Megjithatë, agjencitë tregojnë se për të gjithë të interesuarit, Turqia sërish i ka rezervuar një hapësirë. Bëhet fjalë kryesisht për resortet turistike në Antalia, Alania etj., të cilët organizojnë “darkën gala të festës së fundvitit”, si përpjekje për të tërhequr klientë që kërkojnë luksin. Ofertat për destinacione të tilla janë me paketa që variojnë në 1200 euro çifti, 5 ditë.

Destinacionet e “nxehta”

Në krye të prenotimeve është Dubai. Dikur, pohojnë agjencitë, ishte një nga destinacionet më të shtrenjta, por prej dy vitesh, çmimet kanë pësuar ulje të lehtë, prej vendosjes së linjës direkte të fluturimit nga Tirana. Paketat për këtë destinacion variojnë: 910 euro, 5 ditë dhe 1099 euro, 8 ditë.

Të mos lëmë pa përmendur atë që ka tërhequr klientelën e re dhe të kamur vitet e fundit: Sharm El- Sheih. Ofertat për këtë destinacion gjenden në çdo agjenci dhe kanë qenë shumë të kërkuara. Koha ideale, temperaturat e larta, kjo i josh shqiptarët që të zgjedhin këtë destinacion, çmimi për të cilin nis nga 550 euro personi dhe arrin deri në 1400 euro/personi. Viza për këtë destinacion, sugjerojnë agjencitë, paguhet në mbërritje në Aeroport dhe kushton 27 dollarë./Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular