Ashtu siç u parashikuar, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pritet të bëjë sot publikë emrat e 5 mijë e 4 delegatëve që ishin dje pjesë e Kuvendit Kombëtar të PD-së.
Fakti që salla e Pallatit të Kongreseve ka vetëm 2 mijë e 100 ulëse hapi polemike. “Nesër para çdo shqiptari do të hidhet poshtë çdo trillim, duke bërë transparent emrat e 5004 delegatëve që ishin të pranishëm,”, pohoi mbrëmë kreu i PD-së, Basha.
Kujtojmë se me sloganin “Zgjedhim te ardhmen”, Lulzim Basha mblodhi dje Kuvendin Kombëtar për të riorganizuar opozitën pas kundërshtive që lindën në radhët e saj, lidhur me përjashtimin e ish-kryetarit Berisha nga grupi parlamentar, si politikan i shpallur “non grata” nga SHBA.
Kuvendi i Partisë Demokratike u mbajt një javë pasi ish -kryetari Sali Berisha me mbështetës të tij mbajtën një tjetër Kuvend, ku deklaruan se kanë shkarkuar kryetarin aktual Lulzim Basha dhe zëvendësit e tij. Ndërkohë, dje paralelisht, u votua për referendumin për shkarkimin e Bashës nga detyra e kreut të PD-së, iniciativë e ndërmarrë kjo nga Berisha dhe grupi i Rithemelimit.