Një shqiptar nga Peshkopia, i cili vuante dënimin në burg në Idrizov të Maqedonisë së Veriut ka ndërruar jetë nga një sëmundje e rëndë në qeli. 47-vjeçari Azbi Kaba, ishte dënuar me 7 vite pasi akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa prej 5 muajsh ishte diagnostikuar me kancer.
Ndërkohë, familjarët e shqiptarit hedhin akuza të forta në drejtim të autoriteteve të burgut, pasi sipas tyre nuk i kanë siguruar mjekim babait të tre fëmijëve. Gazetari Enver Doçi ka siguruar për BalkanËeb dëshmitë tronditëse të familjarëve të viktimës, i cili ndërroi jetë brenda qelisë së tij, pa parë asnjë familjar për herë të fundit. Doçi ka udhëtuar në fshatin Pilafe të Peshkopisë, ku familjarët e 47-vjeçarit akuzojnë edhe shtetin shqiptar se nuk bëri aq sa duhej për këtë çështje. Nëna e viktimës pohon se djali i saj nuk kishte qenë kurrë i sëmurë, ndërsa kohët e fundit ishte dobësuar shumë. Ajo thotë se atij iu mohua e drejta për t’u kuruar.
“Sëmundje nuk ka pasur. Sëmundjen t’ia gjejnë ata. As një aspirinë se kishte pirë. Punonte. Shihte punën e vetë. Ia çuan direkt atë dënimin, s’e nuk e nxorën në gjyq si të tjerët. Më thanë se 3 herë është bërë operim, por s’e di. E kam parë në burg, ishte tretur. Ishte 1 kuintal njeri dhe ishte bërë…
Me shqiptarë të tjerë nuk jam takuar, isha takuar vetëm më djalin. Na gënjente avokatja ne, por djalit s’i kanë kapur kurrë gjë, as drogë. Vetëm disa numra telefoni, por ata ishin numra pune, mjet pune. Për 7 vite shpresat na u shkëputën. Nuk e nxorën nga burgu. U varrofshin për këmbe. Shteti duhet të bënte më shumë. Duhet të kishin bërë punë. Njeriu lufton sa të ketë jetë. U sëmur, ta çonin në spital ose ta sillnin te ne.”, tha nëna e pikëlluar.
Ndërkohë, daja i viktimës pohoi se shqiptarët kështu trajtohen gjithmonë. “Na kanë bërë të padrejta. Gjithnjë maqedonasin e kemi pasur hasëm. Si trajton shqiptarët njësoj”, tha daja.
Familjarët tregojnë se lajmin e hidhur e kishin marrë vesh përmes telefonit, ku ishin njoftuar se 47-vjeçari kishte ndërruar jetë.
“Ngjarjen e morëm vesh përmes telefonit. Kishte 7 vite burg. Ishte në burg për lëndë narkotike. As një gram nuk i kapën. Ka 3 fëmijë. Nuk vuante nga asnjë sëmundje. Ministri i Drejtësisë u mundua, kërkoi që të lirohej. Ambasada shqiptare tentoi, por s’e liruan”, tha vjehrri i viktimës./BW