Epidemiologu amerikan Dr. Anthony Fauci vlerësoi sot se vala e pandemisë për shkak të variantit Omicron mund të arrijë kulmin rreth fundit të janarit.
“Unë do të thosha, duke pasur parasysh madhësinë e vendit tonë dhe dallimet midis të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve, se ka të ngjarë (kulmi) të ndodhë në më shumë se dy javë, ka shumë të ngjarë deri në fund të janarit” tha këshilltari i Shtëpisë së Bardhë në një intervistë në rrjetin televiziv CNBC.
Varianti Omicron po godet të gjitha vendet. Qeveritë po marrin masa, argëtimi po kufizohet në shumë vende.
Rekordet negative të infeksioneve me koronavirus thyhen njëri pas tjetrit, ku Kontinenti i Vjetër ndodhet në vorbullën e mutacionit Omicron . E dorëzuar ndaj rritjes dramatike të infeksioneve, Evropa po përshpejton ritmin e saj dhe po harton masa mbrojtëse për pandeminë.
Shumica e qeverive kanë rishikuar udhëzimet e tyre, duke prezantuar politika të reja kufizimi dhe zyrtarët shëndetësorë po u bëjnë thirrje njerëzve të shmangin grumbullimet dhe festat.
Franca ka regjistruar 208,000 raste të reja në 24 orët e fundit. Mbretëria e Bashkuar njoftoi sot 183 037 raste, një rekord i ri. Pavarësisht numrit në rritje të rasteve, kryeministri Boris Johnson ka deklaruar se nuk do të vendosë kufizime të reja në Angli këtë vit.
Irlanda theu sot po ashtu rekordin duke regjistruar 16428 infeksione të reja. Danimarka sot theu rekordin absolut me 23228 infeksione të reja brenda 24 orëve.
Portugalia vazhdon të shënojë një numër rekord të rasteve, me 26,867 infeksione të reja në 24 orët e fundit, nga 17,172 dje.
Një rekord i ri negativ u shënua edhe në Zvicër me mbi 17,600 raste të koronavirusit në një periudhë 24 orësh. Gjithashtu në Greqi u regjistrua një rekord i zi, 28,828 raste të reja brenda një dite