Gjithnjë e më shumë, në korridoret diplomatike po përmendet teza se Shqipëria, në ndryshim nga Maqedonia e Veriut, nuk është gati për të çelur negociatat me BE-në. Gazeta e njohur, Financial Times citon disa burime diplomatike që argumentojnë se Shqipëria vuan nga mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni dhe krimi i organizuar.
“Shkupi ndeshet me një ndërlikim të mëtejshëm për shkak të debatit brenda BE-së lidhur me atë se a do ta mbanin Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të bashkuar në të njëjtën udhë të anëtarësimit. Tirana shihet gjerësisht nga diplomatët si më pak e gatshme për bisedimet e pranimit për shkak të shqetësimeve rreth sundimit të ligjit, korrupsionit dhe krimit të organizuar”, raporton Financial Time.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Popov e pranon se do donte që negociatat të hapeshin edhe për Shqipërinë, por shton se vendet e BE-së duhet të japin gjykime individuale për secilin shtet. “Unë mendoj se ne duhet të jemi të rreptë në vlerësimin e vendeve, pa politizim”, nënvizon Popov, që paralajmëron se refuzimi për vendin e tij do të rikthente në skenë forcat nacionaliste.
Në të njëjtin linjë është shfaqur edhe kryekomisioneri Johanes Hahn, që ka theksuar se hapja e negociatave duhet bërë në bazë të meritave dhe se progresi i shtetit fqinj është më i madh, veçanërisht pas arritjes së marrëveshjes së emrit me Greqinë.
Nëse negociatat nuk çelen, atëherë do ishte hera e tretë që Shqipëria do të merrte një përgjigje negative – një precedent i pazakontë ky për një vend që synon të bëhet medoemos anëtar i Bashkimit Europian