Gazetari Juli Shota ka siguruar për “Balkanweb” pamje nga vendi ku iu bë atentat Gentian Bejtjes dhe mikut të tij, Klodian Stafukës.
atentati është shënuar në afërsi të një karburanti. Gazetarja Klodiana Haxhia, raporton për “Balkanweb” se makina me të cilën po udhëtonte Bejtja, është qëlluar nga një tjetër mjet në lëvizje. Në vendngjarje janë gjetur rreth 10 plumba. Si pasojë e plumbave të marrë, Bejtja ka mbetur i lënduar në njërën dorë, ndërsa miku i tij, Klodian Stafuka nuk ka marrë asnjë plumb, por është lënduar si pasojë e përplasjes që ka ndodhur më pas, sepse Betja ka humbur kontrollin e mjetit. Autorët, pas krimit janë larguar në drejtim të paditur.
Nga kontrolli që është ushtruar në makinën e Bejtjes, nuk janë gjetur armë. Policia ndërkohë është duke marrë në pyetje të lënduarit, të cilët ndodhen në Spitalin Ushtarak, ndërkohë deri më tani, nuk dihen rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë. Sakaq, vlen të përmendet se Bejtja nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai njihej si mik i afërt me Enver Stafukën, personin i cili prej vitit 2016 rezulton ende i zhdukur. Ishte pikërisht Bejtja ai që është takuar për herë të fundit me Stafukën. Ndërkohë, “presë” së atentatit të sotëm, i është bërë sërish atentat, por asokohe me minë të vendosur në makinë. Mjeti shpërtheu sapo Bejtja doli nga banesa e tij.
Njoftimi i Policisë:
Krujë/Informacion paraprak
Më datë 09.01.2022, rreth orës 18:00, në Spitalin Ushtarak, janë paraqitur për ndihmë mjekësore, shtetasit:
G. B., rreth 41 vjeç, i cili në rrethana ende të paqarta dyshohet se është plagosur me armë zjarri në krah, gjatë kohës që po drejtonte automjetin dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
K. S., rreth 31 vjeç, i cili është lënduar në aksident rrugor në Nikël, afër një karburanti, pasi mjeti që drejtonte shtetasi G. B., ku shtetasi K. S. ishte pasagjer, ka dalë nga rruga.
Menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.