Kryetari i Bashkisë së Kukësit Safet Gjici në faqen zyrtare në Facebook ka reklamuar me një postim ‘hapjen e rrugëve’ të bllokuara nga bora në një fshat të zonës.
Shoqëruar me pamje borëpastruesesh ai ka lavdëruar stafin e Bashkisë për hapjen e aksit Orgjost -Zapod. Komentuesit, kryesisht punonjës të administratës së Bashkisë, apo mbështetës të Partisë Socialiste, e kanë shoqëruar me ‘bravo’ postimin.
Njëri prej komentuesve në faqen e të cilit thuhet se është nga Tetova, ka vënë re një gjë ndryshe. Që rrugët në postimet e Bashkisë Kukës janë kryesisht të paasfaltuara. “Si në Himalaje”, i ka quajtur ai duke i thënë kryetarit Gjici “t’ju vijë turp që i nxirrni”.
Kukësi është zona më e prapambetur e Shqipërisë, me një hemorragji të popullatës më të lartën në vend. Ajo që të bën përshtypje në postimet e kryetarit të Bashkisë dhe nënkryetarit, I cili të vetëmen punë që ka është të postojë postimet e shefit të tij është imitimi i stilit të komunikimit të kryeministrit Rama dhe të dërguarës së PS për Kukësin, Elisa Spiropali. Ata postojnë vazhdimisht foto pamjesh të bukura duke i shoqëruar me ‘Mirëmëngjes nga Kukësi’.
Pamjet e postuara prej tyre bien ndesh me realitetin. Kukësi mbetet një zonë e varfër dhe të rinjtë janë gjithmonë në kërkim të një mundësie largimi./Politiko