NIKOLETA KOVAÇI/ Nëna e vajzës 6 vjeçe nga Kamza, që u dhunua barbarisht nga i ati, ka nisur një betejë në Gjykatën e Tiranës për të rimarrë të bijën.
Vajza prej disa javësh gjendet e strehuar në fshatin SOS me anë të një vendimi të dhënë nga Gjykata e Tiranës.
Në krahë të gruas gjendet edhe avokatja mbrojtëse e saj, e cila i ka kërkuar Gjykatës që fëmija të kthehet pranë nënës së saj për të mundësuar sadopak zbutjen e traumave të shkaktuar nga dhuna shtazarake e të atit, Rajmond Kunora.
Ky i fundit është lënë në qeli nga Prokuroria dhe po hetohet për aktin e rëndë dhe të paprecedent të dhunës sistematike të ushtruar mbi të bijën e tij vetëm 6 vjeç. Sipas të dhënave që vijnë nga Gjykata, saktësohet se është parë e arsyeshme që fëmija i mitur t‘i kalojë qendrës, derisa e ëma të arrijë të stabilizohet nga gjendja ekonomike për t‘i mundësuar vajzës një jetesë normale.
Por pavarësisht pretendimeve të gjykatës që ka vepruar me një vendim të përkohshëm të strehimit të së miturës, avokatja Adriana Kalaja këmbëngul se vajza duhet të kthehet tek e ëma dhe se duhen marrë masa që kjo grua të ndihmohet nga shteti dhe organizmat e posaçme.
GJYQI
Do të jetë data 26 janar kur Gjykata do të vendosë nëse vajza do t‘i rikthehet nënës së saj. Në seancën e zhvilluar dy ditë më parë mësohet avokatja dhe nëna e vajzës 6 vjeçe kanë këmbëngulur se tashmë ekzistojnë kushtet që fëmija të kthehet me të ëmën.
Mbrojtja ka këmbëngulur se nëna e fëmijës ka një shtëpi dhe një punë që përbëjnë edhe bazat e munguara për t‘i siguruar kushtet e nevojshme së bijës, e cila ka kaluar një dhunë sistematike nga i ati, por që e ëma pretendon se nuk e ka ditur se ajo dhunohej dhe abuzohej nga i ati pas ribashkimit të tyre nga ndarja.
Gjykata kërkon që siguria e vajzës të jetë në plan të parë e për këtë arsye ka marrë edhe vendimin e përkohshëm për ta lënë në qendrën e fshatit SOS.
Gjykata po ashtu, posedon edhe raportin mjekoligjor të lëshuar pas denoncimit që u bë nga Spitali Pediatrik i Tiranës në momentin kur e morën vajzën për ta kontrolluar për shkak të gjendjes së saj tejet të rënduar shëndetësore.
HISTORIA
Në fundin e tetorit të vitit të kaluar, Policia raportoi për një ngjarje të rëndë që ishte shënuar në Kamzë. Një fëmijë me trauma të mëdha fizike ishte paraqitur në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” dhe mjekët kishin lajmëruar Policinë për ngjarjen.
Pas marrjes në pyetje të gruas, është mësuar se fëmija ishte rrahur nga i ati, sipas bisedës që ajo kishte bërë me të në shtëpi. Gruaja i tha Policisë që kishte qenë në punë dhe ai e kishte rrahur për shkak se ajo më telefononte. Por më vonë, u mësua se vajza ishte dhunuar prej shumë ditësh, pasi u dëshmua se ata kishin rreth një muaj e gjysmë që ishin ribashkuar.
Policia e vuri në pranga të atin dhunues dhe në masën e sigurisë ai refuzoi të kishte abuzuar me të bijën. Në dëshminë e tij ai pretendoi se vajzën thjesht e kishte rrahur me thupër, ndërsa nënës së fëmijës i kishte thënë që e kishte rrahur me kabllon e ushqyesit të telefonit.