Nga Bujar Leskaj
103 vjet më parë, më 24 janar 1919 kaloi në përjetësi, për të hyrë dhe qëndruar në altarin e pavdekshmërisë të kujtesës sonë kombëtare, personaliteti më i shquar shtetëror, diplomatik dhe shoqëror i lëvizjes kombëtare shqiptare, Babai i Pavarësisë, Themeluesi i shtetit shqiptar dhe figura më e dashur e karizmatike e shqiptarëve, Ismail Qemal Vlora.
Ismail Qemal Vlora lindi në 24 janar 1844 në Vlorë në familjen e madhe të Vlorajve. Mbiemri i tij Vlora flet shumë për vendlindjen e tij, për qytetin, familjen e tij patriotike, formimin dhe atdhedashurinë.
Politikan, konsekuent i bindjeve të tij liberale dhe tejet përparimtare, të cilat buronin nga shkollimi i tij, njohuritë e gjera që zotëronte për Evropën Perëndimore, njohjen e organizimit shtetëror, sistemit ekonomik, filozofisë politike dhe qytetërimit evropian; si edhe kultura e tij e jashtëzakonshme politike e historike.
Në gati gjysmëshekulli (1860-1908) të veprimtarisë së tij politike e shtetare në Perandorinë Osmane, Ismail Qemali shkëlqeu me të gjithë bagazhin e tij si mendimtar, politikan dhe dijetar.
Megjithëse politikan e diplomat në një Perandori, në të cilën sundonte despotizmi oriental, me bindje e me sjellje ai ishte dhe mbeti demokrat liberal. Marrëveshja ishte mjeti i tij politik. Toleranca ishte mënyra e sjelljes së tij, humanizmi ishte etika e tij. Liberalizmi ishte koncepti i tij për shtetin dhe shoqërinë. Mbrojtës i të drejtave të njeriut, që ushtronte pushtetin si pushtet të ndërgjegjes.
Pa diskutim që Kryevepra e tij ngelet Themelimi i Shtetit shqiptar.
Ismail Qemal Vlora kurrë nuk do t’i keqpërdorte ndjenjat kombëtare për qëllime politike dhe bëri atë që pakkush mund ta bënte: Shpalli Pavarësinë dhe u bë themelues i shtetit të parë shqiptar.
Megjithëse ishte shtet ende pa kufij, pa forca të rendit, pa ushtri, pa administratë kombëtare, pa ekonomi, pa financa; pra, shtet pa kushte shteti; Shqipëria e porsakrijuar kishte një garanci të madhe: dinjitetin politik, juridik dhe moral të shtetit, të mishëruar në personalitetin e Tij.
Ismail Qemal Vlora është politikani që e ka dashur aq shumë Shqipërinë, është politikani i ndershëm e idealist, por i braktisur nga bashkëpunëtorët arrivistë, i pakuptuar nga një pjesë e madhe e bashkëkombësve, i shpërfolur e i akuzuar rrejshëm nga intrigantë.
Ismail Qemal Vlora është i pari politikan shqiptar, që vuri mbi egoizmin Shqipërinë, që mbi keqkuptimin vuri mirësinë, tolerancën e dashurinë; themeloi debatin publik dhe institucionin e dorëheqjes edhe pse nuk meritonte të dorëhiqej.
Edhe pse u largua nga Shqipëria, u rikthye në mënyrë aktive në politikë në vitet 1917- 1918, në bisedimet me kanceleritë evropiane dhe kur shqiptarët e Amerikës i besuan Ismail Qemalit detyrën që t’i përfaqësonte ata në Konferencën e Paqes në Paris si mbrojtës i interesave të vërteta të Shqipërisë për të frenuar qarqet antishqiptare serbe, të përfaqësuara nga Esad Pashë Toptani.
Por veprimtaria e tij atdhetare do të ndërpritet pabesisht. Në Peruxhia, në 24 janar 1919, Plaku i Urtë ndërron jetë (dyshohet i helmuar), në pritje të bisedimeve me qeverinë italiane, për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë.
Emri i Ismail Qemal Vlorës në historinë e popullit shqiptar mbetet përgjithmonë i shënuar si demokrati liberal, që e filloi qeverisjen demokratike në jetën kombëtare dhe si personaliteti qelibar që dhuntinë e tij politike i përdori në mënyrat më të denja për punët më të rëndësishme të kombit të tij.
Për kryeveprën e tij, Shpalljen e Pavarësisë në 28 nëntor 1912, populli këndon: Emri i tij i vërtetë është Nëntor 28!
Shënim: Akademinë përkujtimore të përvitshme kushtuar Ismail Qemal Vlorës, Themeluesit të shtetit shqiptar, që zhvillojmë çdo datë 24 janar në Vlorë, së bashku me Institutin e Studimeve “Ismail Qemal Vlora” do ta zhvillojmë përgjatë muajit shkurt. Shkaku – situata shëndetësore.