Pas publikimit të audio-përgjimit skandaloz të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në një takim të fshehtë të zhvilluar dje, ka reaguar dhe ky i fundit.
Në një reagim publik, Veliaj thotë se i qëndron atyre që ka thënë, pasi sipas tij, kjo ishte një bisedë mes djemsh.
Reagim i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj:
‘U qëndroj një për një atyre që kam thënë në atë palo përgjim të Federatës së Futbollit, e cila në vend se të garantojë barazinë e garës për kreun e saj, angazhohet në përgjime dhe shantazhe për llogari të beut të saj!
Bashkia e Tiranës është aksionere e Klubit të Futbollit ‘Tirona’, prandaj askush të mos ngatërrojë përkatësinë time në PS me përfshirjen time si aksioner në këtë proces zgjedhor të manipuluar nga beu i FSHF-së, apo të nxjerrë jashtë konteksti një bisedë djemsh, si në çdo fushë futbolli para ndeshjes!
‘Pavarësia’ e FSHF-së nuk mund të jetë gjethe fiku për një mbret lakuriq që është kthyer në neverinë e aksionerëve e dashamirësve të futbollit shqiptar, i cili thjesht nuk e ka pëlqimin tonë si një prej aksionerëve.’