Nga Lufti Dervishi
Shqipëria renditet në vendin e fundit në rajon dhe në Europë sa i përket indeksit të perceptimit të korrupsionit për vitin 2021. Në renditjen globale mes 180 vendeve renditemi në vendin 110, gjashtë vende më poshtë krahasuar me vitin e kaluar. Dramë!
Raporti i bërë publik dje nga Transparency International është një këmbanë alarmi jo vetëm për qeverinë dhe agjensitë ligjzbatuese, por edhe për median dhe shoqërinë civile.
Indeksi Perceptimt të Korrupsionit ka patur gjithmonë mohuesit dhe kritikët e tij.
Përfaqësuesit e vendeve që renditen në “zonën e kuqe” e kanë në majë të gjuhës justifikimin: “ky është perceptim dhe jo domosdoshmërisht tregon realitetin”; “ Kush na flet për korrupsion?! “Korrupsion ka kudo ka edhe në Amerikë edhe në vendet skandinave!”
E vërtetë. Asnjë vend nuk e ka shpikur vaksinën antikorrupsion.
Por për mirë apo për keq jetojmë në një kohë që perceptimet kanë rëndësi të madhe, madje kanë rëndësi të tepruar. Raportet e tilla janë materiale të besueshme për politikbërësit, biznesin, median dhe zyrtarët në vendet demokratike. Sa i përket justifikimit se korrupsion ka kudo- kjo është mëse e vërtetë. Nuk ka asnjë vend ku ka shkelur këmba e njeriut që të mos ketë korrupsion. Dallimi qëndron në faktin se si reagon kur një ngjarje korruptive paraqitet para opinionit publik. Si reagon media? Si reagon shoqëria civile? Si reagon ekzekutivi? dhe mbi të gjitha si reagon drejtësia?
Justifikimi dhe marrja e masave për të kaluar ditën derisa të ndodhë një ngjarje tjetër më interesante nuk e përmirësojnë renditjen e vendit në indeksin antikorrupsion.
Recetat antikorrupsion i ngjajnë pak recetave të para anti-covid. Nuk ka një protokoll fiks që të garanton sukses dhe rezultatet pozitive, por në një qasje krahasuese nëse i referohemi 10-15 vendeve që renditen të parat në indeksin e perceptimit të korrupsioni, mund të nxirren disa mësime që kërkojnë kohë, vullnet dhe “stomak të fortë” për t’u përtypur nga vende si Shqipëria.
Në radhë të parë vendet që janë në krye, janë vende demokratike, janë vende të parashikueshme, janë vende me rritje ekonomike, janë vende me gjyqësor të pavarur, janë vende me administratë publike efiçente, janë vende me arsim dhe shëndetësi të konsoliduar, janë vende me media të lirë dhe të pavarur, janë vende me shoqëri civile të gjallë – janë vende ku biznesi vepron në kushtet e konkurrencës dhe rregullave të qarta të lojës, janë vende ku dinjiteti i shtetasve është i garantuar jo vetëm në Kushtetutë, por edhe në praktikë.
A do të mundet Shqipëria t’i ngjajë vendeve të para në betejën antikorrupsion si (Danimarka, Hollanda, Gjermania, Novergjia etj). Sa kohë do të duhet të bëhemi si ata?
Emëruesi i përbashkët që mban bashkë vendet anëtare të BE-së, që mban në një tryezë, një suedez dhe një portugez, një italian dhe një danez, një francez dhe një gjerman nuk është gjuha, nuk është feja, nuk është e shkuara, por është shteti ligjor. Rregulla të qarta dhe të zbatueshme për të gjithë.
Drejtësia këtu do të kërkojë kohë të bëhet drejtësi si ajo e danezëve, administrata do të kërkojë kohë që të bëhet si ajo e vendeve më të zhvilluara të BE-së, arsimi dhe shëndetësia janë shumë larg pretendimit për t’iu afruar standarteve të vendeve nordike, biznesit do t’i duhet kohë të presë që të operojë në një ambient të parashikueshëm dhe ku gjykata jep drejtësi. Të gjitha këto kërkojnë kohë, por ne po e shohim që koha ikën njëlloj për të gjithë.
Ne duam t’i bashkohemi familjes së BE-së, prej më shumë 30 vitesh! Duam të bëhemi si ata. Do të kërkojë kohë, por pa vullnet të qartë politik, çdo përpjekje antikorrupsion i ngjan atij që merr shatin dhe prashit në det. Nëse e konsiderojmë pretendim të madh dhe e kemi të vështirë të mësojmë nga vendi i parë që është Danimarika për 2021 le të mësojmë nga Kosova që sot ndodhet në vendin 87 dhe brenda një viti e sheh veten në renditje 17 vende më lart!
Korrupsioni nuk luftohet vetëm me fjalë. Po të ishte për fjalë, korrupsioni do të ishte groposur shtatë pash nën dhe. Nëse fjalët nuk shoqërohen me aksione dhe veprime konkrete dhe nëse këto të fundit nuk sjellin rezultate, i bie që të kemi bërë vetëm propaganda. Por korrupsioni nuk luftohet me propagandë. Propaganda në fakt është ushqimi më i mirë për korrupsionin. është folur shumë dhe është vepruar pak. Rezultatet janë këto që i shohim të gjithë. Për të dalë në krye të tabelës së renditjes kërkohet punë, një qasje gjithpërfshirëse, një “revolucion”. Përndryshe nëse do të mbetemi vetëm te fjalët dhe kryqëzatat dixhitale ndaj korrupsionit, atëherë mirë të kthejmë tabelën e renditjes përmbys dhe atyre që na thonë se jemi në vend të fundit, t’i tregojmë tabelën tonë dhe t’i themi: e keni ju gabim, ne jemi në vend të parë!