Nga VALENTINA MADANI
Presidenti i UET shpreh shqetësimin për nivelin e lartë të borxhit publik prej 80% të PBB-së, duke arritur, sipas tij, në një shifër absolute në rreth 11 miliardë euro. Ai përmend se niveli mesatar i borxhit për grupin e vendeve me të ardhura sa Shqipëria sot është 40% e PBB-së. Z. Xhepa thotë për gazetën “Panorama” se, sipas të gjitha parametrave të vlerësimit të shkallës së riskut që ekspozon një nivel i tillë i borxhit, vendi ynë e ka kaluar “vijën e kuqe”. Ai apelon se zgjidhja është “t’i kthehemi rrugës normale të zhvillimit: përmes reformave strukturore, të çlirimit të barrierave ndaj sektorit privat, duke tërhequr investime të huaja, duke krijuar një ambient biznesi mikpritës dhe konkurrues”.
Z. Xhepa, borxhi publik i vendit, sipas raportimit të qeverisë për vitin 2021, ka arritur në 80.1% të PBB-së, i konsideruar si më i larti përgjatë 30 viteve. Pse kjo rritje deri në këto nivele dhe me këto ritme të larta?
Për herë të parë këtë vit borxhi publik e tejkaloi nivelin e 80% të PBB-së, duke arritur në një shifër absolute, në rreth 11 miliardë euro. Niveli mesatar i borxhit për grupin e vendeve me të ardhura sa Shqipëria sot është 40% e PBB-së. Kjo do të thotë se vendi ynë ka një nivel të borxhit publik dy herë më të lartë se mesatarja botërore (gjithnjë krahasuar me grupin e vendeve që kanë të njëjtin nivel zhvillimi ekonomik). Edhe krahasuar me vendet e rajonit, vendi ynë konsiderohet me nivele borxhi shumë të larta. Përveç Serbisë, që ka një borxh rreth 50% të PBB-së, vendet e tjera kanë nivele shumë të ulëta, nën 35% të PBB-së. Sipas të gjitha parametrave të vlerësimit të shkallës së riskut që ekspozon një nivel i tillë i borxhit, vendi ynë e ka kaluar “vijën e kuqe”.
Para vitit 2013, Kryeministri Rama ka deklaruar se rritja deri në 70% është shumë e lartë, ndërkohë që tani ka shkuar në 80.1 %… Çfarë ndryshoi që atëherë? Pse kemi arritur në këtë pikë?
Mëkati i parë u krye nga qeveria e djathtë gjatë viteve 2010-2011 kur u thye rregulli buxhetor i nivelit tavan të borxhit: jo më shumë se 60% e PBBsë. Justifikimi ishte parandalimi i “recesionit të madh” që shkaktoi kriza financiare globale e vitit 2008, e cila siç dihet, në rajonin tonë mbërriti me gati tri vite vonesë dhe shkaktoi rënie ekonomike në gjithë rajonin, përjashto vendin tonë. Në justifikimin se qeveria e djathtë kishte lënë një shumë të lartë borxhesh të fshehta dhe detyrimesh të papaguara, të cilat në fakt nuk tejkalonin 2-3% të PBBsë, qeveria e majtë, me bekimin e FMN-së, e cila tashmë kishte ndërruar filozofinë e saj ortodokse në raport me kufizim e fortë buxhetor që u dikton ekonomive në zhvillim, u investua fuqishëm në rritjen e fortë të huamarrjes. Qëllimi sërish ishte që të pastrohej sistemi i borxheve të këqija dhe ekonomia të rikthehej në rrugën e saj të rritjes së shpejtë përmes stimulit të shtuar fiskal të shpenzimeve të larta buxhetore. Dhe kjo strategji duhet thënë se vazhdoi pandalshëm, me përjashtim të një rënieje të lehtë të niveleve të borxhit në vitet 2017- ‘18. Dy goditjet e tjera negative, tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia e shkaktuara nga Coronavirusi, u shfrytëzuan sërish nga qeveria si momente për të rritur kufijtë e huamarrjes publike, edhe këtë herë duke shkelur ligjin organik të buxhetit që përcakton modalitete të reja të kufijve të huamarrjes. Edhe pse motivi i huamarrjes ishte pandemia, në fakt borxhi u përdor për të financuar projekte që nuk kishin lidhje me pandeminë, por për të vazhduar financimet e shtuara të projekteve të investimeve si në një periudhë normale. Në thelb, dua ta përmbledh se shkaku kryesor i niveleve kaq të larta të borxheve është paaftësia e qeverisë për të ndërmarrë politika që krijojnë rritje ekonomike të shëndoshë dhe të qëndrueshme, përmes sektorit privat. Rritja përmes borxheve të shtuara është në pamje të parë një rrugë më e lehtë, por rreziqet që ajo përmban janë mjaft të larta.
Sa ndikoi emetimi i eurobondit me vlerë 650 milionë euro në fund të vitit të kaluar?
Emetimi i eurobondit gjatë vitit të kaluar sigurisht që është pjesë e fenomenit të përgjithshëm të rritjes së stokut të borxhit. Përtej kësaj, mendoj se kjo ka ndikuar në ndryshimin e strukturës së borxhit nga pikëpamja e monedhës në të cilën denominohet, nga borxhi i brendshëm në lekë në borxh të jashtëm në euro. Në analizën e qëndrueshmërisë së borxhit shtohen edhe dy faktorë: normat e interesave në tregjet ndërkombëtare dhe kursi i këmbimit. Kjo pra e rrit brishtësinë e vendit përballë goditjeve negative që mund të shfaqen në vazhdim, siç edhe duken gjasat e këtij viti. Viti 2022, sipas të gjithë gjasave, do jetë një vit me norma të larta të inflacionit, gjë e cila krijon presione të forta mbi bankat qendrore për rritjen e interesave. Kjo sigurisht që do të rriste menjëherë koston e borxhit të huaj. Edhe në afat të gjatë kjo strukturë e borxhit në monedhë të huaj ka ndikim, pasi shlyerja e borxheve nënkupton transferimin jashtë vendit të shumave të mëdha të shërbimit të borxhit
Cila është zgjidhja, sipas jush, në një situatë të tillë? Çfarë hapash duhet të ndjekë qeveria…?
Rruga e rritjes ekonomike përmes borxheve, kur borxhet fillojnë të bëhen barrë për financat publike, nuk ka qenë asnjëherë në historinë e ekonomisë një alternativë e suksesshme; përkundrazi, vendet që kanë “mëkatuar”, kanë provuar kriza të thella që kanë zhbërë progresin. Duhet t’i kthehemi rrugës normale të zhvillimit: përmes reformave strukturore, të çlirimit të barrierave ndaj sektorit privat, duke tërhequr investime të huaja, duke krijuar një ambient biznesi mikpritës dhe konkurrues. Rrugë tjetër të shkurtër për sukses nuk ka.
Banka Botërore ka paralajmëruar gjatë vitit 2021 se rritja e borxhit publik do të ulë aftësinë e qeverisë për të shpenzuar në projekte investimesh apo drejtime të tjera pas vitit 2021. Si e shikoni një gjë të tillë?
Pikërisht fakti se nivelet e borxhit po fillojnë të jenë kërcënuese, në vitet e ardhshme qeveria do të jetë e detyruar të tërhiqet nga ekonomia, të investojë gjithnjë e më pak. Që këtë vit buxhetor, për shembull, janë planifikuar rreth 100 milionë euro investime më pak se vitin e kaluar. Kjo shifër do të rrudhet dhe më shumë në vitet e ardhshme. Nga ana tjetër, nevojat për investime do të jenë në rritje për shumë sektorë, si në arsim, shëndetësi dhe programet e mirëqenies sociale. Strategjia e konsolidimit fiskal përmes shkurtimit të shpenzimeve sigurisht që do të jetë shumë problematike gjatë viteve të ardhshme. Nëse nuk rriten të ardhurat e buxhetit nga nivelet mediokre që vazhdon prej dekadash, duke mos e kaluar shifrën e 28% të PBB-së, vendit do t’i duhet të përballet me kufizime të forta të rritjes ekonomike nëse nuk hedhim sytë drejt sektorit privat.
A i jepni të drejtë FMN-së dhe shqetësimit të saj për rritjen e rreziqeve fiskale dhe mungesën e të dhënave të sakta për projektet e partneritet publik privat (PPP). Cilat janë këto rreziqe të shtuara?
Prej kohësh kemi debatuar fort në publik se kontratat e PPP-ve, të cilat sot angazhojnë një shifër të barabartë me rreth 50% të PBB-së, janë një kërcënim shtesë për financat publike. Duke mos u kontabilizuar në stokun e borxhit publik, në fakt ato janë detyrime buxhetore pasive që do të shlyhen detyrimisht ose përmes tarifave të shërbimeve nga qytetarët, ose përmes përdorimit të të ardhurave buxhetore që kontribuohen përmes taksave. Rreziku shtesë vjen edhe nga fakti se ka gjithnjë një devijim të madh të shumave të kontraktuara në nisje të projektit, me shumën finale me të cilën realizohen projekte të tilla. Shihni për referencë Rrugën e Arbrit apo dhe projektet që janë tenderuar me vlera të larta absurde. Duke shtuar edhe faturat e penaliteteve nga gjykatat ndërkombëtare, siç është rasti “Becchetti” apo raste të tjera që janë bërë publike, presioni mbi financat publike po bëhet akoma më serioz. Ironik është fakti se me gjithë apelet e bëra herë pas here si nga organizatat e huaja ndërkombëtare apo edhe nga studiues vendas, qeveria nuk ka treguar asnjë shenjë reflektimi; përkundrazi faturat vazhdojnë të shtohen. Mendoj se kambanat kanë kohë që po bien dhe është e nevojshme të korrigjohen sa më parë disbalancat e theksuara buxhetore. Në të kundërt, çmimi që do të paguhet do të jetë shumë i lartë.