Marrja e pronësisë së një toke dhe dhënia e parave tek palët, janë shkaku i një mosmarrëveshje mes çiftit Pasho dhe Ikbale Shaqja, e cila ka përfunduar në seancën e ndërmjetësimit në rubrikën “Shihemi në Gjyq”.
Prej vitesh, Pasho u jep para palëve të treta që nuk kanë lidhje me tokën në fjalë, për të përfunduar procesin e pronësisë.
Por sipas bashkëshortes, në të vërtetë Pasho është mashtruar dhe nuk ka përfituar asgjë. Këto konflikte, por edhe situata e vështirë ekonomike në të cilën ndodhet familja, kanë bërë që Ikbalja të kërkojë divorcin me Pashon, pas 46 vitesh martesë.
Ajo kundërshton kategorikisht bashkimin me Pashon, dhe e vetmja gjë që kërkon, janë paratë që t’i kthehen prapsht. Ikbalja shprehet se ka qëllim të kthehet te fëmijët në Itali dhe ta lërë bashkëshortin të jetojë vetëm.
Eni Çobani: Zotëria ka pasur një tokë në vendin që jetojnë. Tokën ia ka dhënë shteti,por ia ka zënë një bashkëfshatar dhe zotëria ka filluar një proces me të. Në gjithë këto vite nuk ka fituar asgjë, ka dhënë para lart e poshtë siç thotë zonja për ta ndihmuar që ta fitonte procesin. Deri sot s’ka fituar asnjë proces dhe zonja ia ka numëruar e i thotë janë bërë 10 milionë lekë. Ky i thotë i dhashë për të zgjidhur punën. Kjo i thotë “a zgjidhe punë ti zotëri me 10 milionë lekë? Unë do iki, ti vazhdo rri aty”. Tani unë dua ti them zonjës: Këto 10 milionë lekë i dha në një ditë apo i dha në 10 vjet?
Ikbale: Në 10 vjet. Çika-çika.
Eni Çobani: Po pse s’e ndalove që të mos jepte më?
Ikbale: Nuk më dëgjonte, më shtynte, më hidhte matanë, ç’ti bëja unë atij.
Ikbalja tregon edhe një episod kur ajo është trembur, pasi një person shkoi një natë të vonë në shtëpinë e tyre për të kërkuar sërish para. Zotëria hyri në shtëpi, ku nuk kishte as drita dhe Ikbalja u përpoq të lajmëronte fëmijët e saj. Në atë moment, ai është larguar.
Eni Çobani: Sa kohë keni me zotërinë që nuk komunikoni dhe qëndroni bashkë?
Ikbale: Kemi 10 vjet sherr e shamatë, 2-3 vjet kështu.
Eni Çobani: Që jeni si veç e veç? Pra ti qëndron në Itali, zotëria ku rri?
Ikbale: Zotëria te dhoma poshtë aty, aty rri. Atje le të rrijë se atje e ka kokën. Mos t’i jepte lekë njerëzve, mashtruesve, mos të merrej të më dëgjonte një fjalë mua e fëmijëve. Jo të hanë mashtruesit lekun tim.
Pasho: Kisha hall të mbaroja qëllimin moj zonjë.
Ikbale: Ta mbaruan qëllimin? Dua drejtësi ore.
Pasho: Po i besova unë ata. Isha njeri i sinqertë.
*******
Ikbale: I janë dhënë njerëzve zonja Eni.
Eni Çobani: Ne kemi interes që ju të bashkoheni me njëri-tjetrin.
Ikbale: Nuk bashkohem unë me atë. Ai të gjejë drejtimin e vet. Të sjellë lekët fëmijëve, t’iu sjellë të drejtën fëmijëve, djersën time.
Pasho: Kemi 46 vjet bashkë.
Ikbale: Le të kemi edhe 100, sill lekët.
Eni Çobani: Ju ku jetoni momentalisht?
Ikbale: Në Itali. Ku le të shkojë te shtëpia jonë atje, janë dy dhoma të vjetra, atje le të rrijë. Të bëjë ç’të dojë, e di vetë ai. Unë do shkoj të rri te fëmijët e mi.
Ardit Gjebrea: Po me kë do rrijë Pasho?
Ikbale: Vetëm le të rrijë, të bëjë ç’të dojë.
*******
Eni Çobani: Jeni 46 vjet çift. Keni 6 fëmijë, prindërit e 6 fëmijëve nuk mund të vijnë me këtë gjuhë. Zoti Pasho, çfarë i kërkoni gruas suaj që thotë unë sot do iki në Itali? Ka prerë biletën dhe unë ia pashë në fakt dhe pret që të largohet. Ju çfarë i kërkoni?
Pasho: Unë kërkoj të bashkohem, të jetojmë bashkë.
Ikbale: Nuk bashkohem, gjej lekët. I thonë 10 milionë Lekë. Nuk bashkohem.
Pasho: Të bashkohemi bashkë.
Eni Çobani: I kërkon thjesht kaq? Nuk premton ndonjë gjë tjetër se ajo thotë që nuk na japin fëmijët lekë se na i merr Pasho dhe i harxhon? Pra do harxhosh më kaq para sa ke harxhuar deri më tani se është histori pafund, nëse ti merr para nga fëmijët dhe i jep njerëzve lart e poshtë se të gënjejnë ty, dhe zonja nuk ka faj.
Pasho: Jo, nuk jap më.
Ikbale: Jo, jo të gjejë lekët që harxhoi. Nuk e dua. I thonë 10 milionë. Si punojnë ata fëmijë andej, më shumë natën se ditën.
Eni Çobani: Përballë ke burrin e 46 vjetëve.
Ikbale: Le të jetë edhe 100.
Eni Çobani: Dhe të rrijë aty?
Ikbale: Aty le të rrijë.
Eni Çobani: Po ku të shkojë 70 vjeç?
Ikbale: Ku të dojë le të shkojë. Të shkojë te mashtruesit, të rrijë bashkë me ata.
Pasho: Po kemi 46 vjet moj, të rrisim ata fëmijë së bashku.
Ikbale: Ec te mashtruesit, të të mbajnë ata se nuk më dëgjove një fjalë.
Eni Çobani: Nuk e beson më fare? Ai po të premton që nuk harxhon më.
Ikbale: Nuk i besoj fare, nuk i besoj më atij.
Eni Çobani: Do vetëm lekët, asgjë tjetër?
Ikbale: Lekët e fëmijëve, lekun tim.
Eni Çobani: Po nëse leku do të kthehej, me Pashon do bashkoheshe?
Ardit Gjebrea: Of mo.
Ikbale: Për bejë, ashtu do bashkohesha unë.