Nga Armand Shkullaku –
Edi Rama ka gjetur një mënyrë tjetër këto ditë për të vrarë kohën. Ka nisur të shkruaj letra në seri. Jo se në rrethana të tjera do të kishte diçka më të mirë për të bërë. Vizatimet, fjalimet, letrat, statuset dhe një foto me Ronaldon janë gjithë produkti i qeverisjes së tij 6 vjeçare.
E vetmja gjë që nuk kuptohet nga seriali “letër më ke çu”, është adresa e tyre. Pse Edi Rama ia dërgon ato Lulzim Bashës? Pse kryeministri dhe veglat e tij mediatike, vazhdojnë të merren prej javësh me fatin e opozitës, ndërkohë që propagandojnë se ajo nuk përfaqëson veçse një grusht njerëzish të verbuar, se është e izoluar brenda dhe jashtë vendit, se mazhoranca është e fortë dhe do marshojë e vetme në zgjedhje, se Shqipëria nuk është në krizë, se shqiptarët kanë një opozitë të re konstruktive në Kuvend, etj, etj.
Fare mirë letrat e Ramës mund t’i adresoheshin Kujtim Gjuzit apo eksponentëve të tjerë të “opozitës së re”, me të cilët kryeministri replikon plot seriozitet në Kuvend dhe së bashku me ta të garantonin demokracinë dhe pluralizmin, duke i lënë “rrugëhumburit” në fatin e tyre.
Kërkimi dëshpërimisht i një kundërshtari për ta ulur përballë apo për ta ftuar në “dialog”, nuk është gjë tjetër veç nevoja alarmante për të mbuluar një sistem të kalbur që tashmë ka dalë lakuriq përpara shqiptarëve. Eshtë thirrja ekzistenciale për të rikthyer fasadën demokratike të një regjimi hibrid, i cili mund të mbijetojë vetëm falë kësaj fasade. Ikja e opozitës nga Kuvendi dhe mospjesmarrja në zgjedhje, e ka rrënuar këtë ekzistencë pa qenë nevoja për të bërë asgjë më shumë. Letrat janë si lutjet e atij që e lënë të mbytet në pellgun e krijuar vetë. Edi Rama i shkruan Bashës, sepse në pozitën ku gjendet, kërkon që të paktën me letra të krijojë idenë e një dialogu imagjinar, të një pale kundërshtare, të një demokracie me probleme por që gjithsesi funksionon, të një marrëdhënie virtuale pozitë- opozitë dhe, për këtë, i duhet t’i drejtohet Bashës dhe jo Kujtim Gjuzit, duke rënë kështu në kurthin e fabulës që ka krijuar vetë.
Kur flet ai, apo “trangujt” me hormone të serës së tij të Rilindjes, Lulzim Basha dhe opozita paraqiten si disa të mjerë që janë vetvrarë politikisht, që nuk i beson askush, që kanë hallin e tyre dhe jo të qytetarëve, një grupim politik që ka marrë fund. Por kur Rilindjes i duhet të legjitimojë pushtetin e saj, që në 6 vite ka bilancin më të errët në historinë e pluralizmit shqiptar, atëherë “skënderbeu” lë pallën dhe zë penën për të thurrur pëlhurën imagjinare të një demokracie përfaqësuese me pushtete të ndara.
Prishja e kësaj pëlhure i ka prishur edhe gjumin letërshkruesit. Ai më në fund gjendet në pikën kur për herë të parë do t’i duhet të marrë përgjegjësinë e pushtetit mbi vete dhe jo vetëm favoret e tij. Atij i duhet të vendosë nëse do të marshojë dhe i vetëm trim në luftë bashkë me “opozitën e re” apo do të hapë rrugë për të tentuar rregulla të reja loje pas 30 viteve tranzicion.
Kjo përgjegjësi sigurisht që nuk kalon me letra, 6 apo 666 qofshin. Rama nuk gjendet tashmë përballë “opozitës së dalë rruge”, por përballë vetvetes. Qeverisjen e tij nuk mund ta mbulojë më as me “fajin e ka Saliu” dhe as me “çfarë kanë bërë ata”. Vaji i “kazanit politik e mediatik” nuk i vajis më ingranazhet e propagandës dhe Edi Ramës i duhet të japë shpjegime për rekordin e 236 tenderave sekretë, për pishat e palmat që kanë kushtuar sikur të ishin prej ari, për rrugët me çmime stratosferike, për largimin e investitorëve të huaj, për rënien e ekonomisë, rritjen e borxhit, koncensionet zhvatëse të dështuara, për dështimin e reformës në arsim, për premtimin e pambajtur të hapjes së negociatave që në vitin 2013, për rritjen e korrupsionit dhe kriminalitetit, për zyrtarët e lartë, deputetët, kryebashkiakët dhe ministrat e inkriminuar…
Edi Rama nuk mund t’i kapërcejë këto vetëm sepse pretendon se qënka më i mirë se ata që ka përballë. Këto do të mjaftonin për largimin e tij, pavarësisht nëse e kërkon ose jo opozita si garanci për zgjedhje të lira. Me ktë bilanc dhe këto skandale nuk ka popull në botë që mban mbi shpinë një qeveri me pretekstin e dyshimit tek pala tjetër. Prandaj edhe Edi Rama nuk mund të ketë më përballë një kundërshtar që e përdor si fasadë të zullumeve të veta. Letrat mund t’i ruajë për ndonjë instalacion gjatë jetës së tretë ose të mendojë seriozisht t’ia dërgojë Kujtim Gjuzit. Edhe ai ka qenë një farë artisti i haute couture gjatë viteve ’80.