Nga Fatmir Guda
Për të gjithë ata që gjithmonë nxitojnë t’i konsiderojnë test politik zgjedhjet vendore dua të them se ose qëllimisht duan t’i japin në mënyrë krejt të paqënë ngarkesë politike një palë zgjedhjeve që në fund të fundit janë thjesht e vetëm administrative ose nga padija nuk mund të shohin gjë tjetër pas çdo proçesi zgjedhor vetëm se beteja midis logove të partive apo kryetarëve të tyre.
Në pamje të parë një palë zgjedhje vendore në mbarë territorin e vëndit kanë prirjen edhe të jenë një sinjal paralajmërues për gjithë spektrin politik pjesmarrës në to për tu dhënë mundësinë subjekteve të rikuperohen organizatisht përgjatë periudhës deri në zgjedhjet më të afërta politike, por kurrsesi s’mund të jenë testi i mjaftueshëm që përkon në mënyrë deçizive me trendin politik në vend. Aq më tepër kur ato mbahen të pjeshme vetëm në disa njësi të caktuara dhe për më tepër me mandat të kufizuar në kohë vetëm për 1 vit siç është rasti i votimeve të 6 Marsit, pasi dihet që rradha e zgjedhjeve të rregullta vendore është në 2023. Kështu që politizimi që tentohet tu bëhet atyre nuk ka fare vlerë.
Thënë kjo pasi dihet shumë mirë që kandidatët për kryetarë të njësive vendore partitë kujdesen t’i zgjedhin nga rrethi i personaliteteve më me ndikim dhe sa më të spikatur në komunitetet respektive në mënyrë të tillë që vota për ta të ofrohet nga elektorati i një spektri sa më të gjerë politik. Pra si rrjedhojë e kësaj në këto lloj votimesh edhe një i majtë ka ndodhur të votojë për një kandidat të djathtë, sikurse edhe një i djathtë ka bërë vaki të votojë për një kandidat të majtë në sajë të reputacionit e vlerave individuale që mbart kandidati apo lidhjes fisnore, miqësore a të intreresit të zgjedhësve me të.
Besoj e kini dëgjuar fjala vjen shprehjen shabllon që përdoret nga qytetarët sa herë bie fjala përgjatë një fushate për zgjedhjet lokale: “Si kandidat do mbështes filanin apo filanen se është zotri a zonjë e nderuar, po si subjekt do votoj partinë time”? E pra ky qëndrim i kthyer pothuajse në aksiomë nëpër çdo palë zgjedhje lokale, si të vetmet ku është ende gjallë sistemi mazhoritar përgjatë një përballje elektorale, e tregon më së miri se në këto votime qytetarët votojnë për kandidatët, jo për partitë. Kjo është arsyeja që rezultati i zgjedhjeve lokale në një njësi vendore nuk është përputhur asnjëherë me rezultatin në të të votimeve për zgjedhjet parlamentare. Madje madje ka ndodhur rëndom që i njëjti kandidat fitues në një filan bashki për disa mandate rresht ka arritur fitore që s’u kanë ngjarë njëra-tjetrës sa i përket rezultateve të dala prej tyre.
Në një palë zgjedhje lokale rëndom tradicionalisht ka qënë peshë ndikuese jo pak dhe partia në pushtet, e cila siç është bërë e udhës nuk ka lënë rast pa i dhënë kandidatëve të saj epërsi në garë . Aq më tepër në zgjedhjet e 6 Marsit, të cilat janë të pjesshme, me një mandat 365 ditor dhe me kryetarët të zgjedhur që do hasen me këshilla bashkiake monopartiake për shkak të zgjedhjeve moniste të 2019. Nqs këtyre votimeve për të 6-ta njësitë vendore nuk harrojmë t’u shtojmë gjithashtu efektin ndarje e njëanshme territoriale e 2014-ës, e cila është dëshmuar që është hartuar për t’i dhënë epërsi PS elektorale në tavolinë; apo deformimin e vullnetit të zgjedhësit me anë të fenomenit të shit-blerjes së votës, për parandalimin e së cilit do thënë se deri më sot nuk është marrë asnjë masë shtesë krahasuar me zgjedhjet problematike të 25 Prillit, do të ishin akoma më shumë argumenta bindëse që palët e përfshira në këtë proçes të hiqnin dorë për ta konsideruar atë si një moment real të ballafaqimit politik.
Në të vetmin moment gjatë një palë zgjedhjeve normale vendore ku votimi merr paksa ngjyrim më të theksuar politik është pikërisht vota për zgjedhjen e këshillave bashkiakë, pasi në to votuesit tradicionalë e kanë më të zorrshme të dalin prej llogoreve të tyre partiake, paçka se edhe këtu njohjet e lidhjet personale, përkatësitë sociale apo farefisnore karshi kandidatëve për këshilltarë kanë bërë që edhe në to në jo pak raste për hatër të tyre të votohen edhe parti fantazma. Por në 6 Mars, zgjedhje për këshillat bashkiake për këto bashki nuk do ketë, pasi mandati i këshillave të tyre bashkiake mbaron në 2023.
Rëndësia pra e këtyre votimeve në të 6-ta njësitë vendore ka të bëjë vetëm me mundësinë ndryshe që zgjedhësit e tyre do kenë ndonëse vetëm për një vit, për të zgjedhur midis kandidatëve një qytetar të parë, krejt ndryshe nga 55 drejtuesit monistë të emëruar me detyrim përcaktim në qërshor 2019. Kështu që, pavarsisht shpalljes së tyre pikërisht në këto momente prej presidentit të republikës, që ashiqare duket se bëhet kryesisht në funksion të axhendës politike të ditës sidomos për t’i “thyer” turrinjtë “imperializmit”, si pala që po ushtron presion për t’i konsideruar test politik, si pala që bie preh e këtij presioni për t’i konsideruar si të tilla, nuk mundin dot të zhbëjnë natyrën reale të këtyre palë votimeve, që ka të bëjë thjesht me zgjedhjen e një administratori lokal në X territor.
Sikur media ta orjentonte opinionin publik të përqëndrohej në çështjet e ditës dhe më me interes, kuptohet që për këto zgjedhje të pjesshme lokale do të flitej vetëm në komunitetet ku ato do të mbaheshin. Por ja që për fatin e keq pothuajse gjithë rrjeti mediatik në Shqipëri është përfshirë keqazi dhe për momentin pazgjidhshmërisht me interesat e politikës dhe nuk e tepëroj aspak se përfshi dhe atë kombëtare është bërë vegël qorre e politikës dhe klaneve të politikanëve që kanë shpërndarë pushtet në këto 30 vite.
Por ja që në një vënd që deri edhe roja i një objekti nuk i shpëton politizimit (me gjithë respektin për ta), ç’na rëndon të politizojmë artificialisht edhe një palë zgjedhje të pjesshme administrative, të cilat duam s’duan e kanë pakëz majá partishmërie brenda tyre!?