Nga Artan Fuga
Unë nuk jam anëtar i asnjë partie politike. Mua më intereson qytetari shqiptar, të drejtat dhe mirëqënia e tij. Mua më intereson dija universitare, vendosja e universiteteve në rruge të drejtë, kërkimi shkencor që e kanë përdhosur, më intereson dija e të rinjve,integrimi i të diplomuarve në tregun e punës, kultura kombëtare, futja e teknologjisë së lartë në Shqipëri.
Mua më intereson të vendoset një sistem qeverisjeje dhe politike në Shqipëri ku pushteti të mos abuzohet nga lloj lloj individësh rastësorë dhe të padenjë! Mua më intereson drejtësia sociale për të majtë e djathtë, a për ata që nuk duan t’ja dinë për politikën.
Por, në pikën ku ka arritur gjendja në shkencë dhe arsim, unë e mbështes plotësisht deklarimin e bërë dje në Elbasan nga lideri i opozitës, z. Lulzim Basha, se nëse i krijohen mundësitë dhe kushtet, opozita ardhur në pushtet nuk do të njohi asnjë akt të këtij Kuvendi për Akademinë e Shkencave, nuk do ta pranojë atë si kamzhik të diktaturës kundër lirive universitare, shkencës, dhe se ata që shkelin ligjet dhe Kushtetutën, në përgjithësi dhe në këtë rast, cilëtdo qofshin, do të përgjigjen përpara ligjit dhe do të vihen prapa hekurave!
Sikurse mbështes deklarimin e tij zyrtar se nëse vjen në pushtet, do të shfuqizojë që ditën e parë ligjin e poshtër dhe të mbrapshtë, kriminal, të arsimit të lartë!
A kam besim unë se këto premtime do të mbahen? Nuk ka rëndësi se çfarë mendoj unë!
Pyetje e kotë!
Llogaria është e thjeshtë, teknike, e ftohtë, filozofike po të doni: Nuk fitojmë asgjë po të mos besojmë sepse gjendja ka vajtur në atë pikë saqë cdo sekondë që kalon aq më poshtë bie kultura dhe dija në Shqipëri, aq më shumë poshtërohemi ne si intelektualë, pedagogë, kërkues shkencorë dhe studentë!
Kemi prekur fundin !
Ne këtu jemi për të qenë vigjilentë që politika të mos e tradhëtojë intelektualin, universitarin, studentin, punonjësin shkencor sikurse bën tani !