Shumë kohë ka kaluar që nga viti 2014, kur ish-oficeri i Antidrogës në Vlorë, Dritan Zagani, u arrestua për akuzën e shpërdorimit të detyrës nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në qytetin e Fierit. Pasi arriti t’i shpëtonte “shërbëtorëve civilë” me të cilët kishte shërbyer dhe u kishte besuar jetën, por duhej ta arrestonin sapo ta shihnin, ai u vendos në një shtet neutral.
Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Shqiptare, Dritan Zagani, jeta dhe karriera e të cilit duket se është “shkatërruar nga burokratët e korruptuar” tregon se si kanë rrjedhur ngjarjet dhe si situata ka arritur deri në këtë pikë për të.
Ai ka rrëfyer se si e kishte parë makinën e ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri të përdorej nga famëkeqët Habilaj dhe se si eprorët e tij në atë kohë e kishin paralajmëruar mos merrej me atë çështje. Pavarëisht të gjithave, Zagani shpreh keqardhjen që Tahiri “dha jetën” për ata trafikantë “të rëndomtë” dhe ka deklaruar se ish-ministri do të lirohet së shpejti nga burgu.
Ndërkohë, ai ka folur edhe për “marrëdhënien” e tij me ish-gjeneralin italian Fabrizio Lisi, me të cilin nuk ka pasur “kurrë njohje personale, por njohje indirekte”. Ish-oficeri thotë se Lisi se e ka trajtuar si “mish për top” dhe se ka “plot të tjerë policë të Shqipërisë”, pasi ky i fundit ishtë një “merakli i lekut”.
Pyetja: Si e njihnit ju ish-gjeneralin Lisi, çfarë dini për të?
Dritan Zagani: Nuk kam pasur kurrë njohje personale, por njohje indirekte, nëpërmjet kolegëve të mi italianë. E dija kush ishte si funksion, e dija që ishte gjeneral i Finanzës, që për momentin kur unë isha në punë drejtonte Interpol Romën. Duke qenë se nëpërmjet Interpol Romës, me anë të kolegëve dhe miqve të mi kam pasur disa okazione për ta shfrytëzuar informacionin e tyre për disa operacione, sidomos në Fier. Në Fier, falë informacionit që kemi marrë nga Interpol Roma në 2-3 raste nëpërmjet kolegëve të mi, jo direkt me Interpolin, madje aq të sakta ishin informacionet që unë merrja nga ata, saqë një burokrat i Interpol Tiranës u nervozua dhe më tha “Pse ti hyn në lidhje direkte me ata?”. “Që mos më ikë krimineli”, i thashë. Personi ishte në kërkim, ishte i dënuar në Itali. Nëse unë do të filloja shkresurinat, ai do më ikte dhe unë nuk do ta kapja, kështu që unë e kisha informacionin. E verifikova direkt me miqtë e mi të Interpolit si qëndronte problemi me personin dhe mi dërguan materialet me email, dhe unë bëra arrestimin e personit në kërkim. I dënuar me mbi 10 vjet në Itali për trafiqe… vepra penale të rënda.
Burokratët e Interpol Tiranës, kur unë i mora direkt shkresat nga Interpoli, u inatosën deri në atë pikë sa më thanë po shkel ligjin sepse është shkelje e ligjit kur s’është krimineli në burg dhe jo ta lajmërosh të ikë. Këtu ka qenë okazioni që e dija kush është Lisi dhe duke qenë se puna më funksiononte mirë, kisha një simpati në distancë, si për të gjithë kolegët italianë. Sepse, siç e dimë, në Itali vërtet ka mafie, është nona e mafies. Ka dhe këtë të mirë që shteti është shtet aty, vlla. Shteti aty po i hapi letrat, i shkon në fund, nuk është si në Shqipëri, që i ke mal letrat dhe dënohesh për “shpërdorim detyre”. Po flas për ekstremin e fundit, që është i freskët se ka plot raste si ky. Kjo ishte njohja empirike e gjeneralit nëpërmjet miqve dhe thënieve nga kolegu dhe miku im i ngushtë. Ai kishte pasur rastin për të bashkëpunuar dhe për t pasur epror në disa raste dhe më fliste në mënyrë korteze për të deri ditën që miqtë e mi dhe unë u zhgënjyem nga sjellja e tij. Kjo ndodhi mbas arrestimit tim.
Mbas arrestimit tim, kur unë kam lexuar pretencën e akuzës, për çfarë mua më kishin arrestuar – këtë ë kam marrë vesh 3 ditë më pas- se askush nuk me ka dhënë ndonjë letër që të merrja vesh për çfarë akuzohem, veç kanë ardhur, mëe kanë marrë dhe me kanë çuar brenda. Mos me folë, tre ditë… si janë këto gjëra në Shqipëri, që ligjin e bën Maliqi. Dhe kur kam parë pretencën nga telefonat e burgut, kam telefonuar miqtë e mi në Itali dhe u kam thënë: kjo është një shaka pa kripë, nuk ka kuptim. Kështu që, ju duhet jo vetëm të më mbroni mua, por duhet të mbroni veten dhe të interpretoni të vërtetën. Kur e pashë, kam qeshur me vete, thashë ja kjo është punë ditësh, do vijë informacioni nga atje dhe do sqarohet sepse ishte keqinterpretim. Një keqinterpretim i ligjeve dhe i fakteve me qëllim.
E dija që ishte bërë me dashje, e dija dhe motivin, e dija sepse kur kam parë makinën e ministrit, më është dhënë këshilla nga eprorët: Shiko se kemi plot të tjera. U thashë: le të kemi, kjo është skandaloze, ministri ndoshta nuk e di, ai duhet ta marrë vesh. Edhe une nuk mund të mbyllja një sy,aq më tepër kur e dija që kjo bandë që po përdorte makinën ishte një bandë ordinere hashashxhinjsh o burrë! Se hajt kur ke të bësh me trafikantë të sofistikuar, që nuk bën dot veprime kaq të hapura, duhet t’i bësh të kamufluara, siç është dhe procedura jonë.
Këta ishin të rëndomtë, nga ata që mbajnë hashash gjithë natën në kurriz dhe në mëngjes dalin e pijnë kafen si të fortë, do vijnë era hashash. Nuk e mendoja që të shkonte deri në atë pikë që ministri të jepte jetën për ta, siç e dha, budallai! Por nuk e mendoja që t’i njihte kaq thellë. Prandaj nuk u dorëzova, nuk i bëra gjërat që “puna të bëhet dhe unë mos digjem”.
Nejse, u bënë procedurat, i lexova, prita dhe përgjigjen nga Italia, që më erdhi vetëm privatisht nga miqtë dhe më thanë se zoti Lisi ka thënë “Vari l*esht, një polic hesapi, se kemi plot të tjerë policë të Shqipërisë. Do prishim ne marrëdhëniet me shqiptarët për një polic”. Pra, isha mish për top edhe për ata. Këtë ma provoi heshtja e tyre dhe kjo më acaroi, më zhgënjeu dhe kam bërë të pamundurën dhe arrita në ca konkluzione të bazuara në konkluzione që Lisi ishte jo thjesht një burokrat i korruptuar, por një burokrat që kishte dhënë prova dhe herë të tjera, me shumë pozita pozita të tjera drejtuese në Itali kishte lënë nam me faktin që ishte shumë i korruptueshëm, pra ishte merakli i lekut. Rasti im për të ishte i artë, që u shfrytëzua.
Mësova që ky ishte mik i ngushtë me një avokat shqiptar që quhej Engjëll Agaçi, që deri në atë moment nuk e dija që eksziston apo rron ky njeri! Ky avokat shqiptar ishte shumë i zoti me politikën e majtë në Shqipëri dhe me këtë burokratët e korruptuar në Itali si Lisi, por dhe njohje të tjera, ai arrinte të bënte thagma në Itali. Thagma në prizmin e shkeljes së ligjit, si avokat, brenda kornizës ligjore. Për këto gjëra ai duhet të shkojë bashkë me Lisin në burg, se këto gjëra janë të provuara, i kam parë me sytë e mi materialet dhe i njoh personalisht elementet kriminale që kanë përfituar nga marrëveshja Lisi-Agaçi.
Në këtë pikë u zhgënjeva nga Lisi dhe zhvillova hetimet e mia, një ditë të bukur, kur u nisa nga shtëpia , duke pritur të drekoja më një mikun tim italian, me makinën time –edhe pse isha në arrest shtëpie, ngaqë e dija se isha i pafajshëm nuk me ngacmonte askush. Rrija gjithë ditën poshtë e lart nëpër Vlorë, shkoja edhe në Tiranë, smë thoshin gjë. E dinin që isha në arrest shtëpie nga halli. Përderisa nuk flisja, nuk merrej me mua askush. Këtë e dija dhe e shfrytëzoja për t’i ardhur vetes në ndihmë. Një ditë të bukur, në Vlorë, në qendër të Vlorës, para zyrës së një noteri, më thotë miku im italian: Drekojmë bashkë sot nëse kë kohë. Unë shkoj, ndaloj makinën para asaj zyrës noteriale dhe shikoj në këmbë katër burra dhe një femër që po diskutonin. Nga këta burra, njëri ishte miku in dhe e njoha. Pastaj njoha burrin e dytë, që ishte një shtetas shqiptar nga Vlora, element trafikan i njohur mirë nga ana ime, biznesmen trafikant heroine.
Tani, përveç këtyre të dyve, shoh një burrë të gjatë, me mustaqe, që më ngjante fytyrë e parë. King kështu, trup i drejtë, 2 metra burrë. Po e vrisja mendjen, ku e kam parë? Psi mbaruan bisedën, vjen në makinë miku im me disa dokumente të firmosura nga noteri. Unë e pyes pak larg e larg mikun se me kë ishte atje. Më thotë: nuk e njohe gjeneral Lisin? Dhe më sqaroi: ai çifti janë diplomatë të ambasadës italiane…
Arrestimi i ish-gjeneralit Fabrizio Lisi
Mediat italiane raportuan arrestimin në Itali të Fabrizio Lisit, një ish gjeneral i Guardia di Finanza, që bashkë me një grup personash të tjerë, prokurorë dhe biznesmenë, akuzohen për nxjerrje të informacionit të dosjeve hetimore dhe shpërdorim të detyrës.
Emri i Lisit është i lidhur me Shqipërinë në disa faza, që nga viti 1997 kur ai ka treguar se erdhi me mision, më pas në operacionet e monitorimit të parcelave me kanabis dhe së fundmi për një “dhuratë” që fondacioni i tij mori në Vlorë nga një person i akuzuar për trafik droge.
Admirimi për Edi Ramën
Gjenerali i Guardia di Finanza ka treguar eksperiencën e gjatë që e lidh me vendin tonë në një shkrim falenderues për kryeministrin Rama, pasi ai dërgoi infermierët shqiptarë në Itali, në kulmin e pandemisë. Ja si e përshkruan gjenerali italian kryeministrin Rama në shkrimin e botuar në Agjensinë Telegrafike Shqiptare:
“Burri i shtetit, njeriu (ish-ministri) i kulturës, piktori i vlerësuar, sportisti, kryetari i bashkisë i “buldozerëve dhe ngjyrave”, i përdori të dyja këto të fundit për të zbukuruar së pari kryeqytetin, pastaj gjithë vendin. Me veprimin e tij ai diti të interpretojë në mënyrë perfekte dhe me ndjeshmëri të madhe institucionale ndjenjat e popullit të tij, duke gjetur kështu mënyrën më të mirë për t’i thënë “faleminderit” Italisë për ndihmën dhe bujarinë që ajo kurrë nuk i ka kursyer Tokës së Shqiponjave” shkruante Lisi.
Lisi flet edhe për ndihmat e ndërsjellta mes dy vendeve mike, ndërsa e mbyll shkrimin e tij, duke treguar pozicionin që ka pasur si ushtarak i Guardia di Finanza në vitin 1997 dhe më pas në bashkëpunimin me policinë.
“Isha në bordin e avionit në 1997, si shef i Misionit të Guardia di Finanza; që përshkova detrat dhe fluturova mbi qiellin e Shqipërisë; që prita refugjatët në kampet e Mbrojtjes Civile dhe Kryqit të Kuq italian; që kam punuar për një kohë të gjatë edhe në vitet në vijim, së bashku me autoritetet tuaja, policinë tuaj dhe njerëzit tuaj, aq fisnikë dhe të mëdhenj në shpirt” thotë Lisi.
Raporti për shkatërrimin e 98.8% të parcelave me kanabis
Vitet e fundit të karrierës së tij, Lisi vërtet ka qenë në Shqipëri për të bashkëpunuar me policinë shqiptare. Shqetësim kryesor ishte kanabizimi i vendit dhe Guardia di Finanza mori persipër të monitoronte cep më cep territorin shqiptar.
Ishte koha kur ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i kundërvihej çdo akuze me raportin e Guardia di Finanza-s që thoshte se 99.8% e kanabisit në vendin tonë ishte shkatërruar.
Por kundër sukseseve të policisë së Tahirit, atëherë fliste Dritan Zagani, ish-shefi i antidrogës që u fut në burg se i jepte informacione për trafikantët shqiptarë kolegëve të tij italianë. Kur mësoi mbi raportimin e medias italiane që e implikonte Fabrizio Lisin në bashkëpunim me trafikantët e drogës në Vlorë, Dritan Zagani e akuzoi gjeneralin e Guardia di Finanza për arrestimin e tij.
“Një pyetje që do marrë shpejt përgjigje publike me dokumente te provuara, kush është ura lidhëse mes narkotrafikanteve dhe gjeneralit Lisi, kush është ky njeri që me forcet e tij e si hije e zezë ka një rol kyç për gjitha lidhjet e mafies me politikën rilindase dhe liderin e drogës ..! Dhe ta mendosh që unë dhe çështja ime isha një “hiç” për këta të plotfuqishëm mafioze me kollare…!” shkruante Zagani, pasi kishte parë kronikën e Rai Tre, ku trajtohej investimi i Fabrizio Lisit në Shqipëri. Video më poshtë:
Fabrizio Lisi dhe lidhjet e tij në Shqipëri
Televizioni italian “RAI 3” publikoi një seri kronikash mbi trafikun e drogës nga Shqipëria. Në njërën prej tyre, flitej pikërisht për gjeneralin italian të Guardia Di Finanza, Fabrizio Lisi, i cili pas daljes në pension, drejtonte një shoqate kulturore italiane.
Shoqatës i ishin dhuruar mijëra metra katrorë tokë në bregdetin e Vlorës. Sipas gazetarit të “RAI 3”, Valerio Kataldi prona në Vlorë i ishte dhuruar nga “Artur Shehu, një person i hetuar në Itali për lidhjet mes Sacra Corona Unita (mafia italiane) dhe investimet e saj në Shqipëri.
I pyetur nga gazetari italian i RAI3 në telefon, gjenerali tashmë në pension shprehej se në kohën kur i ishte dhuruar prona, nuk kishte ka pasur dijeni për problemet ligjore që mund të ketë pasur dhuruesi.
Por lidhjet e Fabrizio Lisit në Shqipëri pas daljes në pension, janë zbuluar nga një shkrimi i botuar në OCCRP në Mars të vitit 2021. Gazetarja Lindita Çela raportoi për rolin e Ëngjëll Agaçit në investimet e shoqatës kulturore që drejtohej nga Gjenerali në pension i Guardia di Finanza.
“Lisi dhe një anëtar i bordit i quajtur Giampaolo Polverini thanë se Agaçi rreshti së luajturi rol negociator pasi u fut në qeverinë Rama në vitin 2013.
Një tjetër anëtar i bordit të fondacionit, një ish-diplomat italian me emrin Eugenio Campo, i tha OCCRP se Lisi dhe Agaçi vazhduan të mbajnë lidhje në çështjet që lidheshin me fondacionin edhe pasi Agaçi mori postin e nivelit të lartë në kryeministri.
Alessandro Bernadini, që u punësua nga Lisi për të zhvilluar tokën në breg të detit shkon edhe më tej. Ai i tha OCCRP se ‘Lisi nuk bënte dot asnjë lëvizje nëse Agaçi nuk i jepte leje atij’
Anëtari i bordit të fondacionit Francesco Zacxaria kujton se Agaçi i ka shpjeguar se negocimi i një marrëveshje me Shehun ishte mënyra më e mirë për të siguruar tokën e nevojshme për planet e fondacionit për të siguruar të ardhura nga turizmi në komunitetin lokal.
‘Ai tha se në këtë mënyrë fondacioni mund ta merrte pronën’ shprehet Zaccaria për një partner të OCCRP në TG3, një program që jepet në televizionin italian Rai 3.
Agaçi, i cili zyrtarisht ka dhënë dorëheqjen në rolin e tij në fondacion që kur iu bashkua qeverisë, refuzoi të komentonte” shkruajti OCCRP.