Qyteti i Antwerpit në Belgjikë është shndërruar në një zonë mjaft problematike për shkak të rritjes së trafikimit të drogës, kryesisht kokainë si dhe korrupsionit në nivelet e larta të qeverisjes vendore. Korrupsioni fillon me punonjësit e portit të Antwerpit dhe shkon deri tek zyrtarët e lartë. Kjo ka favorizuar bandat e trafikut të drogës të cilat luftojnë për dominimin e territorit për të trafikuar kokainën që vjen nga Amerika e Jugut në portin e Antwerpit dhe shkon drejt vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.
Përplasja e bandave ka përgjakur edhe rrugët e këtij qyteti siç ishte edhe rasti i vrasjes së 39 vjeçarit shqiptar Bledar Muça, krahu i djathtë i Florenc dhe Ardian Çapjas në Shqipëri, raporton Panorama.al
Në mesin e korruptuarve dhe të lidhur me krimin e organizuar, sidomos me trafikantët shqiptarë të drogës janë edhe avokatët vendas. Njëri prej tyre Pol Vandemeulebroucke është dënuar me një vit burg pasi është bërë pjesë e një organizate kriminale, raporton Panorama.al
Ai dyshohet se ka pasur lidhje të ngushta me një trafikant shqiptar të drogës në Belgjikë dhe sipas drejtësisë belge raporti i tyre kishte shkuar përtej marrëdhënies avokat-klient. Avokati Pol Vandemeulebrouckedoli kishte rënë në gjurmët e hetuesve në përgjimin e këtyre të fundit ndaj tri ngarkesave kokaine, në total 1321 kilogramë, që u kapën në gusht të vitit 2017. Gjatë atij hetimi u përgjuan shumë biseda telefonike, dhe në njërën prej tyre rezultonte edhe avokati. Ai kishte kontakte të shpeshta me të pandehurin kryesor fillestar Uka G.
“Përmbajtja e këtyre kontakteve tregon qartë ekzistencën e një konteksti kriminal, të lidhur me drogën” tha gjykata e apelit në fillim të këtij muaji.
Sipas mediave belge, Vandemeulebroucke ishte përfshirë aktivisht në rastet në të cilat shqiptari Uka G. kishte interesat e tij. Në bisedën e përgjuar Vandemeulebroucke kishte kërkuar vazhdimisht pagesën e tij, duke u shprehur me fjalët “Zarf i trashë”.
Avokati pretendoi se shqiptari Uka G. i kishte bërë presion që të kërkonte llogari nga një klient për mungesën e dërgesës së kokainës, por gjykata nuk e mori parasysh. Sipas saj nuk ka dyshim se avokati me vetëdije ka qenë pjesë e organizatës kriminale.
Pol Vandemeulebroucke e apeloi vendimin për dënimin e tij por gjykata e Lartë ia hodhi poshtë kërkesën dhe tashmë ai nuk mund të ushtrojë më profesionin e avokatisë, theksojnë mediat belge.
Vandemeulebroucke ishte avokat penalist për gati tridhjetë vjet dhe ai bëri emër si avokat i kriminelëve të mëdhenj si Aquino’s, Danny Van Hamel, Guy De Gres, Flor Bressers dhe bosëve holandezë të drogës si Janus van Wesenbeeck.