PD nis konsultimin për hartën e re territoriale, Basha: Është domosdoshmëri! Ja për sa kohë e mbyllim reformën

1
312

Partia Demokratike nisi dje dëgjesat dhe konsultimet me ekspertët dhe grupet e interesit për reformën territoriale. Kryedemokrati Lulzim Basha, në fjalën e tij, e konsideroi domosdoshmëri ndryshimin e hartës territoriale.

“Ne kemi një dokument të plotë, por dua të them që Reforma Territoriale, rindarja territoriale e Shqipërisë është sot një domosdoshmëri urgjente. E duan shqiptarët nga jugu në veri, nga Dukagjini në Delvinë, nga Vermoshi në Konispol edhe gjatë fushatës së viti të kaluar një nga çështjet kryesore që kanë shtruar është se duam pushtetin vendor të na kthehet, pushtetin vendor që e kanë përqendruar, e kanë hequr, e kanë zhdukur.

Duam të na kthehet në radhë të parë si demokraci mundësia jonë për t’i zgjedhur ata që na qeverisin, në radhë të dytë si shërbime. Dhe së dyti për të luftuar armikun numër një të kësaj shoqërie. Këtë shoqëri po e shkatërron korrupsioni, mirëqenien e shqiptarëve po e shkatërron korrupsioni dhe nuk ka rrugë tjetër përveçse të fuqizojmë të gjitha instrumentet që i kundërvihen përqendrimit të pushtetit”, tha kryetari i PD-së.

Ndonëse kërkon që harta territoriale të mos jetë kjo që është aktualisht, kryedemokrati Basha nuk kërkon as rikthimin e komunave si para vitit 2014. Ai e quajti sistemin e kaluar të dështuar.

“Vendet më demokratike në botë shpenzojnë 7 në çdo 10 euro apo lekë apo dollarë nga pushteti vendor. Kompetencat e pushtetit qendror kufizohen vetëm në ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen kombëtare, politikat e jashtme, shpeshherë edhe rendi e siguria, në vende të vogla decentralizohet pushtetit vendor. Ndërsa këtu, gjithçka është e centralizuar dhe siç e keni dëgjuar ideja është të shkojmë drejt një centralizimi tjetër nga pala tjetër.

T’i themi fare hapur, dy janë synimet e këtij procesi që nisi: E para ajo që nuk ndodhi në 2015-ën nuk mund të lejojmë të mos ndodhë më. Të dëgjohet zëri i njerëzve. Ne nuk jemi për kthim në sistemin e mëparshëm. Besoj që ishte shumë i fragmentuar, tepër i fragmentuar, 370 e ca njësi vendore. Por në mënyrën më absolute nuk mund të pranojmë një sistem të dështuar që e ka larguar shërbimin nga qytetari, vetëm e vetëm që qeveria qendrore të vjedhë 430 mln euro vetëm për shërbime që nuk kryhen”, tha Basha.

CENTRALIZIMI I PUSHTETIT

Në vijim të fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi Kryeministrin Rama se në reformën e 2014 nuk llogariti që shërbimet të shkonin më afër qytetarëve përmes reformës, por bëri vetëm llogari elektorale dhe për të centralizuar pushtetin.

Dhe kjo, sipas tij, u duk më pas në projektin e inceneratorëve, ku sipas Bashës janë vjedhur 430 milionë euro.

“Papritur, kompetenca më bazë e pushtetit vendor, pastrimi, na kaloi nga kompetencë e pushtetit vendor në kompetencë e pushtetit qendror. Pse? Për çfarë arsye di të pastrojë më mirë Edi Rama bashkë me ministrat e ti? Sigurisht që kjo është një pyetje cinike, retorike. Përgjigjja është e qartë.

U hodh poshtë një strategji e miratuar dhe e hartuar në bashkëpunimin e ekspertëve më të mirë të Bankës Botërore, e qeverisë gjermane dhe e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të qeverisë së Zvicrës dhe të ekspertëve tanë të trajnuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe taksapaguesve ndërkombëtarë, u hodh poshtë për një arsye, arsyen e keni të qartë: që të ndërtohej një skemë për tre pseudo-inceneratorë; dy prej të cilëve nuk ekzistojnë fare, të paguar me taksat e shqiptarëve, të cilët nuk kryejnë asnjë funksion përveç vjedhjes së këtyre taksave. Skemë e pastër kriminale për të zhvatur paratë e shqiptarëve”, tha kryetari i PD-së.

PREMTIMI

Sakaq, kryedemokrati Basha e quajti një premtim të mbajtur reformën territoriale, që edhe pse PD nuk i ka votat e qytetarëve, do t’u ofrojë atyre një hartë të re territoriale që i çon shërbimet më pranë qytetarëve.

“Ne nuk i kemi votat, prapëseprapë e mbajtëm fjalën dhe brenda më pak se 6 muajsh u kemi dhënë shqiptarëve instrumentin e ndarjes territoriale në bazë të shërbimit të qytetarëve dhe jo në bazë të tekave dhe qejfeve të politikanëve apo llogarive e kalkulimeve elektorale të politikaneve. S’ka asgjë të keqe të bësh gabime elektorale politike në një vend demokratikë normal, por është kriminale që ta shkatërrosh vendin tënd, ta përçash apo diku ta bësh copa-copa dhe diku të bashkosh të pabashkueshmen vetëm e vetëm për të qëndruar në pushtet, sepse ai pushtet të siguron përmes shkatërrimit të decentralizimit 430 milionë euro vetëm me aferën e inceneratorëve, kësaj duhet t’i japim fund dhe do t’i japim fund”, vijoi Basha.

Bejko: Ndarja territoriale ka nevojë për analizë

Drejtuesi politik i qarkut të Gjirokastrës, njëkohësisht sekretari për pushtetin lokal, Roland Bejko, gjatë fjalës së tij në tryezën e parë të nisjes së diskutimeve për reformën territoriale, u shpreh se duhet një analizë e thellë dhe ndryshime të kufijve.

Sipas Bejkos, me reformën aktuale territoriale, nuk janë reflektuar parimet e kartës evropiane, si dhe është rritur varësia e kontrolli nga ana e qeverisë.

“Është një nga reformat e rëndësishme për Shqipërinë. PD e ndërmori këtë iniciativë mbështetur mbi reagimet e shumta të qytetarëve, raporteve të institucioneve të huaja, konkluzioneve të KLSH-së, progresraporteve të BE-së. Të gjithë bien dakord që kjo reformë ka nevojë urgjente për një analizë dhe për një rishikim. Kjo reformë nuk ka reflektuar parimet e kartës evropiane. Kjo reformë centralizoi edhe më shumë pushtetin vendor. U rrit varësia dhe kontrolli nga qeveria”, tha Bejko. Ndërkohë, procesi i diskutimit me ekspertët do të vijojë në të gjitha qarqet për të marrë si mendimet e qytetarëve, ashtu edhe të ekspertëve lokalë. Panorama

1 Koment

Comments are closed.