Komisioni Europian në raport progresin për Shqipërinë të publikuar sot, ndërsa është shprehur pozitiv për ecurinë në përgjithësi të ekonomisë, nuk ka mbajtur të njëjtin qëndrim për praktikat e ndjekura për projektet me partneritet publik-privat, që janë zgjeruar ndjeshëm së fundmi. Raporti thotë se mbështetja gjithnjë e më shumë në këto projekte përbën rrezik fiskal. Për më tepër, thekson raporti, pjesa më e madhe e kontratave PPP janë përzgjedhur në bazën e ofertave të pakërkuara, çka redukton konkurrencën në prokurime.
Komisioni Europian me qëndrimin e tij ndaj PPP-ve është në të njëjtën linjë me institucionet ndërkombëtare, sidomos Fondi Monetar Ndërkombëtar, që ka paralajmëruar për rreziqet fiskale që i vijnë buxhetit nga përqendrimi në projektet e partneritetit publik privat dhe për faktin që pjesa më e madhe e tyre janë borxh i fshehur.
Raporti
Raporti vlerëson ecurinë e ekonomisë, ndërsa rekomandon në veçanti konsolidimin fiskal dhe luftën ndaj informalitetit. në të thuhet:
Shqipëria ka bërë disi progres dhe është përgatitur në mënyrë të moderuar në zhvillimin dhe funksionimin e tregut ekonomik. Rritja ekonomike u vijoi dhe papunësia shënoi rënie edhe pse vijon të mbetet e lartë. Eksportet u rritën në mënyrë të qëndrueshme dhe deficiti i llogarisë korrente u tkurr. Raporti i lartë i boprxhit publik kundrejt GDP-së vijoji të ulet. Stabiliteti i sektorit financiar u përmirësua dhe bankat vijuan të ulnin kreditë më probleme. Gjithsesi huadhënia për sektorin privat korporativ mbeti në vend dhe përdorimi i gjerë i valutës së huaj në tregun e brendshëm mbizotëroi. Janë marrë disa hapa për zhvillimin e sektorit financiar jo-bankar. Reforma në drejtësi avancoi mirë por disa të meta në zbatimin e ligjit vijuan të pengonin biznesin dhe të frenonin investimet. Klima e biznesit është përmirësuar vetëm në disa sektorë dhe ndërkohë që punësimi formal u rrit informaliteti vlerësohet se mbetet i lartë. Liberalizmi i tregut të energjisë shënoi progres edhe pse me disa vonesa.
Në mënyrë që të përmirësojë funksionimin e ekonomisë së tregut, raporti rekomandon që Shqipëria duhet që në mënyrë të veçantë të:
Vijojë konsdolidimin fiskal dhe të zhvillojë një plan për të mobilizuar të ardhurat dhe për të adresuar informalitetin.
Të sigurojë monitorim dhe kontroll fiskal për detyrimet që rrjedhin nga Partneritetet Publike Private dhe detyrimet e prapambetura.
Të përmirësojë aksesin në financim duke forcuar zbatimin e kolateraleve dhe të rrisë përfshirjen financiare.
Të përmirësojë tregun e punës përmes adresimit cilësor dhe targetimit të politikave duke përfshirë trajnimin e mëtejshëm të forcës aktive.
Sa 67.3 për qind të GDP-së, borxhi publik mbetet i lartë. Ky nivel i lartë borxhi mund të bëhet i paqëndrueshëm në rast të një shoku në ekonomi. Mbështetur nga mbivlerësimi i lekut Borxhi Publik ndaj GDP-së ra në 67.3 për qind në 2018-ën. Qeveria siguroi një eurobond 500 milionë euro me afat 7 vjeçar në tetor 2018. Kjo ndihmoi në uljen e nevojës vjetore për financim si dhe uli presionin për financim të qeverisë nga tregu i brendshëm.
PPP-të
Raporti thekson se financimi publik nuk mjafton për të kapërcyer hendekun e madh të infrastrukturës, kështu që qeveria po kërkon të mobilizojë kapitalin privat, kryesisht përmes partneriteteve publike-private (PPP-të). Investimet publike u rritën mesatarisht 6.2% në vit në vitet 2013-2018 dhe mesatarisht përbënin rreth 18% të shpenzimeve publike gjithsej. Rritja e mbështetjes tek PPP gjeneron detyrime potenciale dhe rrjedhimisht risqe fiskale. Njësia e sapokrijuar e rrezikut fiskal nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të monitoruar këto rreziqe. Financimi i infrastrukturës mund të bëhet më efikas duke shfrytëzuar potencialin për sinergji në planifikimin dhe ekzekutimin e të dyjave, edhe PPP-ve dhe investimeve publike konvencionale, rekomandon raporti.
Përfshirja e shtetit dhe subvencioneve publike mbetet përgjithësisht e ulët në ekonominë shqiptare, por rritja e mbështetjes tek PPP ngre potencialin e ndikimit të shtetit në tregje të caktuara, thuhet në raport. Qeveria është angazhuar gjithnjë e më shumë në projektet PPP-të, veçanërisht për energjinë dhe transportin, ku ka marrëveshje çmimesh apo vëllimi për shërbime dhe mallra. Pagesat e qeverisë për këto kontrata, sipas ligjit kufizohen në 5% të të ardhurave tatimore të vitit të kaluar dhe për vitin 2018 ky kufi thuhet se është respektuar. Shumica e kontratave ekzistuese të PPP janë përzgjedhur në bazë të propozimeve të pakërkuara, të cilat reduktojnë konkurrencën në prokurime. Raporti vlerëson rishikimin e legjislacionit për kufizimin e projekteve të pakërkuara. Megjithëse legjislacioni i prokurimit kohët e fundit është përmirësuar, zbatimi i prokurimit publik ka mbetur i mangët dhe vazhdon të perceptohet si jo transparent, thuhet në raport.