Kina nuk i fsheh pretendimet që ka për të bashkuar Tajvanin me shtetin komunist. Një plan i tillë është paralajmëruar gjatë këtyre ditëve ndërsa lufta vijon në Ukrainë, ish-presidenti Trump tha se Pekini do shfrytëzonte pikërisht këtë moment për të ndërhyrë në Tajvan.
Kryeministri kinez, Li Keqiang, ka paralajmëruar Tajvanin për të shmangur prirjet separatiste dhe ndërhyrjet e huaja, pasi Kina e konsideron vendin si pjesë sovrane e territorit të saj.
“Kina dëshiron të zhvillojë lidhje paqësore dhe përfundimisht të ribashkohet me ishullin e Tajvanit. Të gjithë ne, kinezët në të dy anët e ngushticës së Tajvanit, duhet të bashkohemi për të çuar përpara kauzën e madhe dhe të lavdishme të përtëritjes së Kinës”.
Kreu i kabinetit kinez i bëri këto komente teksa po dorëzonte raportin e tij të punës para anëtarëve të Kongresit Popullor të Kinës.
Tajvani është vetadministruar që nga lufta civile kineze e viteve 1940, pas së cilës tajvanezët u tërhoqën në ishull.
Tensionet rreth Tajvanin janë rritur gjatë viteve të fundit pas shitjeve të reja të armëve nga Shtetet e Bashkuara dhe vizitave të delegacioneve amerikan, përfshirë ato gjysmë zyrtare.
Këtë javë ish-sekretari i Shtetit në Administratën Trump Mike Pompeo vizitoi Tajvanin për të konfirmuar mbështetjen për udhëheqësit atje.
Pekini i sheh si minim të pretendimeve të tij ndaj ishullit tajvanez.
Kina e ka rritur aktivitetin ushtarak në Tajvan vitet e fundit, pasi sipas saj po balanconte mbështetjen e SHBA-ve.
Gjatë luftës në Ukrainë, është raportuar se një gjë e tillë mund të bënte edhe Kina këto ditë duke hyrë ushtarakisht në Tajvan.
Të njëjtën ka paralajmëruar edhe ish-presidenti Donald Trump.