Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka mbërritur në Poloni për të diskutuar për sigurinë e refugjatëve ukrainas dhe ndihmën humanitare, raporton Reuters.
Blinken është në Rzeszow, një qytet juglindor ne Poloni afër kufirit me Ukrainën, në të cilin qindra mijëra ukrainas kanë kaluar që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt 2022.
Blinken do të takohet me zyrtarë polakë, përfshirë ministrin e jashtëm anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Zbigniew Rau.
Më shumë se 1 milion refugjatë janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt, kryesisht në Poloni, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.
Pjesa më e madhe e ndihmës ushtarake të ofruar nga anëtarët e NATO-s për forcat qeveritare të Ukrainës po kalon përmes Polonisë.
Blinken tha të premten se NATO, të cilën e quajti një aleancë mbrojtëse, po kërkonte të parandalonte përhapjen e luftës përtej Ukrainës.
“Ne nuk kërkojmë asnjë konflikt, por nëse konflikti vjen tek ne, ne jemi gati për të,” tha Blinken, “dhe ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s.”
Afër 800 mijë refugjatë ukrainas kanë arritur në Poloni
Rreth 787,300 njerëz që kanë ikur nga lufta në Ukrainë kanë mbërritur në Poloninë fqinje deri më tani, thanë të shtunën autoritetet polake.
Vetëm të premten nga Ukraina në Poloni kanë hyrë 106,400 njerëz.
Kjo është shifra më e lartë brenda një dite që nga data 24 shkurt, kur Rusia nisi sulmin ndaj Ukrainës, tha zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Pavel Szefernaker.
Qeveria e Polonisë ka ngritur 30 pika pritjeje kufitare, tha Szefernaker, ndërsa zyrtarët lokalë kanë ngritur më shumë qendra në qytete dhe bashki anembanë vendit.
Pas mbërritjes në Poloni, disa prej qytetarëve të Ukrainës, udhëtojnë drejt Gjermanisë dhe vendeve tjera të perëndimit.