Lajm i hidhur për artin shqiptar dhe të gjithë ata që u rritën e jetuan me humorin e tij. Është ndarë papritur nga jeta në moshën 64-vjeçare aktori i njohur, pjesë e parodistëve të Vlorës, Muhamet Liko.
Mësohet se aktori i madh i humorit, ose Meti siç e thërrisnin të gjithë miqtë, ishte tërhequr nga skena prej disa kohësht për shkak të problemeve me zemrën. Ai iu ishte nënshtruar disa ndërhyrjeve, por me sa duket artisti i madh nuk ia doli të fitonte.
Aktori i mirënjohur ka ndërruar jetë në moshën 64-vjeçare, ditën e sotme në Itali, ku ndodhej për një vizitë mjekësore.
Mësohet se virtuozi, prej disa kohësh vuante nga një sëmundje në zemër, të cilën nuk e ka mundur dot.
Por kush ishte Muhamet Liko?
Aktori i madh i humorit numëron me qindra role në skenën e humorit, me një aktivitet 41-vjeçar në skenë.
Muhamet Liko lindi më 26 Qershor të vitit 1955 në qytetin e Vlorës. Daljen e parë në skenë e pati në vitin 1978, ku u bashkua së bashku me 3 parodistët e tjerë.
Parodistët e Vlorës fituan zemrat e të gjithë shqiptarëve me humorin e tyre brilant të ndërthurur edhe me këngën duke i mbijetuar brezave për vite të tëra.
Katër paraodistët Afrim Agalliu, Agron Hamo, Mane Lumani dhe Muhamet Liko u shfaqën së bashku për herë të fundit vetëm disa ditë më parë në skënën e teatrit ‘Petro Marko”. Lika duartrokiti parodistët e rinj të estradës së re në Vlorë dhe më pas u nis për kontrollin në Itali por nuk ia doli dot.
Liko mban shumë tituj dhe çmime për artin që ka transmetuar tek njerëzit, ndërsa së fundmi është vlerësuar nga Presidenti i Republikes me titullin “Mjeshtër i madh”. Ai la pas dy fëmijë dhe gruan e tij.