Një ngjarje e rëndë përfundoi me një viktimë dhe dy të plagosur rëndë mbrëmjen e djeshme në Komisariatin e Kamzës pasi godina u përfshi nga flakët.
Për pasojë ndërroi jetë 26-vjeçari Arben Mici i cili ishte dërguar pas hekurave pasi kishte dhunuar nënën e tij, ndërsa mbeti i plagosur i paraburgosuri tjetër Dilaver Idrizi i arrestuar pak ditë më parë pasi kishte rrahur dhe më pas kishte hedhur nga kati i tretë bashkëjetuesen. Më pas ngjarjen e kishin raportuar si aksident.
Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes policore ngjarja e mbrëmjes së djeshme ndodhi për shkak se Mici dhe Idrizi kishin ndezur në qeli zjarrin që ishte përhapur më pas në pjesën tjetër të godinës.
News 24 raporton se Mici është lejuar nga efektivët e policisë të ndezë një cigare në korridor. Më pas në momentin kur është kthyer në qelinë e izolimit ai i ka vënë flakën dyshekut. Ai ka ndërruar jetë për shkak të asfiksisë, ndërsa Idrizi tashmë ndodhet në spital ku edhe po merr ndihmën mjekësore.
Për pasojë është lënduar edhe një efektiv policie që ndodhej në turn në momentin e incidentit.
Në lidhje me këtë ngjarje autoritetet kanë arrestuar dy oficerë sigurie ndërsa janë pezulluar tre të tjerë, të cilët në momentin e incidentit dyshohet se kanë qenë duke parë një ndeshje futbolli dhe kanë reaguar me vonesë.
Kushtet në dhomat e izolimit në komisariat janë shumë të rënda. Avokati i Popullit ka rekomanduar mbylljen urgjente të tyre. Për shkak se ambientet janë pa ajrim zjarri mund të shkrumbonte të gjithë komisariatin.
Sipas dosjes hetimore, i riu Mici ishte shoqëruar në polici 22 herë gjatë muajve të fundit.