Pasi GJKKO i caktoi masën e arrestit më burg, duket se nuk ka asnjë shenjë nga arrestimi i ish-deputetit të PS-së Alqi Bllako. Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se policia pasi ka shkuar në banesën e Bllakos, në zonën e Tiranës së Re, për ta arrestuar, ish-deputeti nuk ka rezultuar në banesën e tij.
Kujtojmë se sot pasdite GJKKO caktoi për të masën e ‘arrestit me burg’ pasi ndaj ish-deputetit rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit për çështjen e inceneratorit të Fierit.
SPAK e akuzon Alqi Bllakon se në bashkëpunim me Lefter Kokën dhe zyrtarë vendorë në Fier kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë ndryshuar destinacionin e pronës ku do të ndërtohej inceneratori. Po ashtu SPAK arsyeton se ish-deputeti Bllako ka favorizuar kompaninë fituese të inceneratorit të Fierit dhe ka marrë si ryshfet shumën prej 14.9 mln lekësh në formën e pagesave që janë kaluar për llogari të babait të tij, Edmond Bllako.
Në dosjen hetimore që është publikuar edhe më herët nga BalkanWeb, një tjetër fakt i përcjellë nga prokuroria është edhe një udhëtim që zoti Bllako ka bërë me Klodian Zoton njëri prej pronarëve të kompanisë që ka fituar inceneraotrin e Fierit nga Shqipëria në drejtim të Italisë (Torino) dhe anasjelltas. Sipas prokurorisë Alqi Bllako ka udhëtuar me Klodian Zoton në 16 prill të vitit 2019 dhe është rikthyer sërish në Rinas në 17 prill.
Një tjetër argument që përdor SPAK për të provuar akuzën e korrupsionit për Alqi Bllakon është edhe punësimi fiktiv i babait të tij Edmond Ballo si drejtori i kantierit të ndërtimit në kompaninë fituese të inceneratorit të Tiranës.
AKUZAT
Bllako akuzohet në lidhje me procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit, pasuria nr.1, ZK.2636, Vol.10, Fq.63, lloji i pasurisë “tokë arë”, me sipërfaqe 111 564 m2 , nga hetimet kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundraligjshme të Kryetarit të Komisionit të Shpronësimit, shtetasit Pëllumb Abeshi, në bashkëpunim me Ish-Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe Ish- Sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit Alqi Bllako, të cilët kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, duke paraqitur dhe propozuar pranë Këshillit të Ministrave projektvendimin dhe relacionin për shpronësim për kategorinë e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”.
Mbi bazën e këtij dokumentacioni me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.951,datë 28.12.2016, është vendosur shpronësimi i pronës ku do të ndërtohej inceneratori në shumën 46 299 060 (dyzet e gjashtëmilion e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë) lekë. Si rrjedhojë, ka rezultuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën 16 288.344 (gjashtëmbëdhjetë milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë. Veprimet dhe mosveprimet e personave të mësipërm janë në kundërshtim me VKM nr.89, datë 03.02.2016 “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”, VKM nr.584, datë 28.8.2003 “Për Miratimin e Rregullores së Këshillit të Ministrave”, Kreu II, “Nisma për Projektaktin”, pika 3 dhe 4 e saj.
Nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.