Kupa e Botës në Katar do të fillojë me 21 nëntor dhe përfundon me 18 dhjetor. Sot është bërë publike edhe kënga zyrtare, e cila do shoqërojë gjithë kompeticionin.
Ajo quhet “Hayya Hayya”, që do të thotë (Më mirë së bashku). Krijimi ka ardhur falë bashkëpunimit të artistit amerikan, Trinidad Cardona, një nga më të mirët në Afrikë Davido dhe Aisha (Katar).
Gjithçka është mjaftë e qartë dhe lidhet shumë me situatën e fundit në botë. Me anë të kësaj këngë jepen mesazhe bashkimi, në një periudhë ku mbizotëron përçarja. Premiera do të transmetohet sonte, në ceremoninë e hedhjes e shortit të Botërorit që fillon në orën 18:00.
“Duke bashkuar zëra nga Amerika, Afrika dhe Lindja e Mesme, kjo këngë simbolizon se si muzika dhe futbolli mund të bashkojnë botën. Duke patur mbështetjen në ndikimet R&B dhe reggae, kënga përshkruan emocionet e një festivali futbolli që do të ndriçojë botën këtë vit” – shkruan FIFA.
E publikuar sot në Youtube nga FIFA, deri më tani kënga ka marrë 222,341 klikime. Të shumta kanë qenë reagimet dhe një pjesë e madhe e komenteve kanë qenë pozitive.