Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka hedhur poshtë zërat se ai është kandidat për President në vendin tonë. Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj shkruan se “nuk jam kandidat për president të Shqipërisë”.
Hardinaj shprehet qartë se ai do të jetë në Kosovë, duke theksuar se edhe politikisht do të realizohet në vendin e tij.
“Shqipëria i ka njerëzit e saj, që di t’i vendosë në krye të shtetit. Me Kosovën e Shqipërinë e kundër matrapazëve mediatikë e të opinionit publik”, shkruan Haradinaj.
Reagimi i plotë i Hardinajt
Nuk jam kandidat për president të Shqipërisë
Po e shoh që po bëhet fushatë nga gazetarët e shitur, nga mercenarët e mediave, në Tiranë e në Prishtinë, sikur unë qenkam në kombinim për President të Republikës së Shqipërisë. Kjo është një shpifje ordinere, e ulët, e pistë dhe për hesap të kuzhinave që janë edhe kundër Shqipërisë, edhe kundër Kosovës, edhe kundër meje.
Për popullin tim të dashur shqiptar, unë jam në Kosovë, do të jem në Kosovë dhe edhe politikisht do të realizohem në Kosovë. Shqipëria i ka njerëzit e saj, që di t’i vendosë në krye të shtetit. Me Kosovën e Shqipërinë e kundër matrapazëve mediatikë e të opinionit publik!