Nga Artur ZHEJI
Kush nuk e ka kuptuar duhet ta kuptojë. Përpara Km-së, qëndrojnë dy rrugë krejt përjashtuese nga njera tjetra. Ajo e pushtetit absolut, që e miklon dhe e përkëdhel pafundësisht dhe rruga e ikjes absolute nga pushteti dhe nga pushteti mbi Partinë Socialiste që e ka vënë “poshtë”, ditë pas dite që nga viti 2006.Rrugë të Tretë, me sa duket nuk ka, tenderat e fundit që po përfliten, tendera shumëmilionëshe rrugësh të arta dhe shumë të mbivlerësuara, flasin qartë.
Atij i duhet një mbështetje shumë e madhe mediatike, që të bëjë të zezën të bardhë, që të justifikojë të panatyrshmen në të natyrshme, që të rrëfejë te “repartet” e gatshme zgjedhore, ose “paraushtarake”, se është i fortë dhe sfidues i çdo gjëje dhe kundër çfarëdo paralajmërimi. Nëse ay, Km-ja, po jep shenja për rrugën e forcës dhe të mbështetjes së plotë te Grupet Oligarkike, të cilat joshen prej tij me kontrata përrallore, fitimesh përrallore, në Shqipëri do të ketë një përplasje të plotë.
Edhe Berisha, ndoshta ishe i tunduar të bënte një gjë të tillë në vitin 2013, por largimi i Ilir Metës, përvoja tronditëse e vitit 1997 dhe ngjarjet e rënda të 21 Janarit 2011, e bënë ndoshta të ndërrojë mendim, duke lejuar zgjedhje krejtësisht më të mira dhe rotacionin e pushtetit në vitin 2013.
Mirëpo Km-ja i sotëm, vijon të tundohet për Pushtet Absolut, sepse mendon se, ndryshe nga Berisha në vitin 2013, ai kontrollon sot, pjesën më të madhe të sistemit të Drejtësisë dhe ka siguruar një mbështetje më të madhe ndërkombëtare.
Përveç kësaj rrethane, askush më parë, nuk ka dorovitur majmërisht, pjesën më të madhe të Mediave dhe pronarët e tyre miliarderë dhe ka fituar kështu mbështetjen e tyre pa kushte. Km-ja i ka tunduar ata dhe disa pak oligarkë, se ai do të mund të shndërrojë Shqipërinë dhe arkën e shtetit, në një instrument financiar dhe politik të vetin.
Km-ja është duke ecur vendosmërisht në këtë rrugë të përpjetë, sepse më sa duket, ay, Km-ja, nuk ka rrugë pas, por vetëm humnerë.
Mendon dhe stërmendon, “hakmarrjen” e njerzve dhe politikanëve të tradhëtuar përfundimisht, mendon dhe vuan “braktisjen” e plotë që ndodh pas humbjes së pushtetit, mendon ish ministrat duke filluar nga Saimir Tahiri, Fatmir Xhafa dhe deri te Damian Gjiknuri, do të mund ta shesin, në shkëmbim të “pafajsisë” apo “pendimit” të tyre…
Pra dukshëm ay, Km-ja, po zgjedh rrugën e Përplasjes së Madhe, plotësisht të evitueshme, porse nuk ka luksin të realizojë “ikjen absolute”, sepse mund të humbë sa hap e mbyll sytë të gjitha pushtetet dhe “shërbyesit” e sotëm, të shndrrohen në armiqtë e nesërm.
Meqë i ka zgjedhur “bashkëpuntorët”, ose më saktë i ka marrë ata më të rëndësishmit, edhe me “qira”, besnikëria e tyre është baraz me Zero dhe kjo e tremb “qenërisht”.
Sepse ‘tradhëtinë’ e duan dhe e paguajnë të gjithë, porse ‘tradhëtarët’, që janë të shumtë në kohët e sotme, askush nuk i do dhe askush nuk u zë besë, nëse nuk e ke forcën e pushtetit, gjitmonë e më shumë, në anën tënde.
Megjithë këto tenderime dhe PPP, që ay, Km-ja, po bën në këto ditë të turbullta politike, dëshmon se tashmë, e ka zgjedhur rrugën e përplasjes dhe po bën gati “pajisjen” shumëvjeçare të “rezistencës” dhe të skllavërimit kontraktual të Oligarkëve, sepse tenderat e mëdhenj, janë tendera me kohështrirje shumëvjeçare dhe të denoncuar nga Opozita, si tendera me korrupsion ulëritës.
Në mes Km-së dhe Opozitës, qëndron “populli”. Largimet e shumta të shqiptarëve, me kuç e me maç nga Shqipëria ja lehtësojnë punën.
Por ay, Km-ja, krejt i palexuar në filozofi dhe në Shkencat Fizike, nuk e njeh një “kostante” shumë të rëndësishme dhe universale, të Dialektikës historike.
Nuk njeh ay, Ciklicitetin, këtë spirale vrasëse, së cilës ay, Km-ja, me një shpejtësi të madhe, po i shkon deri në fund, në mos e ka kaluar. Vetëkrahasimi me autoritaristët e tjerë, jetëgjatë në Europën Lindore, nuk do të funksionojë, sepse Shqipëria nuk ka resurse ekonomike dhe është një Shtet krejt i papërgatitur për të mbajtur mbi shpinë një rregjim, që të mund ti japë mundësinë Km-së, për të rrezistuar me “dorë të fortë”, për një kohë të pacaktuar. Personaalisht bashkohem me ata që mendojnë se e “Keqja” duhet të shkojë deri në fund, që “Kthesa” të mos jetë një makiazh dhe parmënda e Ndryshimit të shkojë sa më thellë të jetë e mundur. Tjetër punë se fatura e rrjedhojave që duhen paguar, do të jetë më e shtrenjtë dhe do të ngjajë me ndryshimet e mëdha të vitit 1990…/360grade.al