Nga Erisa Zyka
Parlamenti Europian voton raportin Santos
Komisioni i punëve të jashtme të Parlamentit Europian votoi me 66 vota pro, 4 kundër dhe 3 abstenime raportin e Isabel Santos mbi vlerësimin e Komisionit Europian për progresin e Shqipërisë në integrimin europian gjatë 2021. Në raport eurodeputetët përgëzojnë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin evropian dhe shprehin mbështetjen e tyre të qartë për transformimin demokratik të vendit dhe aspiratën për anëtarësim në BE.
Eurodeputetët shprehin keqardhje për dështimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit të vonuara me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar solidaritetin dhe simpatinë e plotë me qytetarët e këtyre vendeve. Ky dështim, sipas tyre, minon qëndrimet e publikut ndaj BE-së dhe është një rrezik serioz për politikën e zgjerimit të BE-së në tërësi. raportit. Eurodeputetët theksojnë se të dyja vendet kanë përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli Evropian.
Duke përgëzuar vazhdimësinë e Shqipërisë si një partner i besueshëm dhe i përkushtuar i politikës së jashtme, në përputhje plotësisht me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes së BE-së, raporti Santos i bën thirrje BE-së të “vlerësojë në mënyrë kritike implikimet historike të rëndësishme të sigurisë për stabilitetin dhe unitetin në kontinentin evropian dhe në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës”. Ai u kërkon shteteve anëtare të demonstrojnë unitetin evropian duke nisur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke marrë parasysh si implikimet gjeopolitike të vendimit ashtu edhe përmbushjen e kritereve zyrtare nga të dy vendet.
Raporti ripërsërit, se anëtarësimi i Shqipërisë në BE varet nga reformat e qëndrueshme dhe të pakthyeshme në fushat themelore të politikave.Eurodeputetët i kërkojnë Shqipërisë të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të përforcuar funksionimin e gjyqësorit, për të forcuar demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonominë. Vendi gjithashtu duhet të fuqizojë shoqërinë civile, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të sigurojë lirinë e medias dhe të garantojë mbrojtjen e të drejtave të pakicave, duke përfshirë komunitetin LGBTQI.
Të gjitha kompromiset politike janë aprovuar nga komisioni i punëve të jashtme të Parlamentit Europian. ABC ka publikuar një raport të detajuar mbi këto kompromise.