Rektori Hoxha: Në fuqi vitin e ri akademik, është duke u hartuar VKM -ja
Shumë programe studimi në universitetet publike rrezikojnë të mbyllen pasi nuk preferohen nga studentët. Universiteti Bujqësor ka pësuar tkurrjen më të madhe, por shqetësim janë edhe degët e mësuesisë sidomos dega Fizikë, Kimi dhe Matematikë si dhe gjuhët e huaja Rusisht e Greqisht. Sipas rektorit Hoxha vitin e ardhshëm akademik për disa degë me prioritet kombëtar do ketë incentiva për studentët që do t’i përzgjedhin.
“Po përgatitet një VKM për të përcaktuar mekanizmat që për profesione të cilat shoqëria ka nevojë, mungesë dhe s’ka kërkesa, përveç incentivave që ligii parashikon, parashikon edhe të tjera për t’i mbështetur ata nga ana financiare dhe për të studiuar jashtë vendit”.
Në mbledhjen e konferencës së rektorëve u caktua edhe grupi i punës që do të jetë pjesë e grupit ndërinstitutucional që do të merret me projekligjin për Shkencën. Ndërkohë që pengesë për kërkimin shkencor është mungesa e fondeve.
“Prej 30 vitesh asnjëherë nuk kemi marrë buxhetet që kemi kërkuar dhe nga pikëpamja financiare e bën këtë kërkim të jetë i vakët, të mos ketë atë kontribut që kërkohet për institucionet, shoqërinë dhe studentët. Buxhetimi i arsimit të lartë në Shqipëri është në nivel shumë të ulët”.
Gjatë kësaj mbledhjeje u diskutuan edhe kriteret për doktoraturën të cilat do të startojnë pas gati 10 vitesh bllokim. Të parët që do të përfitojnë janë pedagogët e universiteteve.