14,5 miliardë lekë dëm i është shkaktuar buxhetit të shtetit vetëm në shkeljet që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar në sektorin e doganave dhe tatimeve gjatë auditimeve të kryera gjatë vitit 2021.
Kështu ka deklaruar kreu i KLSH-së Arben Shehu gjatë prezantimit të raportit vjetor në komisionin parlamentar të ekonomisë. Sipas tij dëmet më të konsiderueshme janë konstatuar në drejtorinë e doganave si pasojë e kalimit me transaksion të mallrave të importuar, e duke shmangur detyrimet doganore, nga vendime antiligjore . Po ashtu një shkelje në vlerë prej 2.35 mld lekë është konstatuar në njësitë e qeverisjes vendore dhe drejtorinë rajonale tatimore Fier.
“Për vitin 2021 numri i auditimeve të performancës ka pësuar rritje. Në objektin e parë të strategjisë së zhvillimit institucioni jonë provoi të kalonte me sukses provën për auditimet. Bazuar në zbulimet e auditimeve shkeljet financiare tregojnë se aktiviteti qeverisës vazhdon të shfaqë problematika në menaxhimin e fondeve. Dëmi ekonomik në fushën e të ardhurave konstatohet kryesisht në fushën e doganave dhe tatimeve në shumën prej 14.5 mld lekë. Vlera më e konsiderueshme është konstatuar në drejtorinë e doganave nga trajtimi me transaksion të mallrave të importuar me pasojë shmangien e detyrimeve doganore, nga vendime të nxjerra jo në përputhje me bazën ligjore. Dëm në fushën e të ardhurave ka pasur edhe në fushën e tatim taksave. Në vlerën 2.35 mld lekë në njësitë e qeverisjes vendore dhe drejtorinë rajonale tatimore Fier.
Dëmi ekonomik ka rezultuar në fushën e prokurimeve në fazën e procedurave të prokurimit dhe në fazën e zbatimit. Janë evidentuar shkelje të ndryshme në përcaktim të kritereve të veçanta jo në raport me objektin e kontratës. Mangësitë i referohen enteve publike që prokurojnë fonde për shkak edhe mangësive profesionale të zyrtarëve të përfshirë. Nga vlera e dëmit ekonomik, 15% i përket kontratave dhe zbatimit. Ekziston edhe një shkallë dëmi e pamatshme nga procedurat dhe prokurimet”, deklaroi ai.
Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit Arben Shehu u shpreh para komisionit të ekonomisë se janë evidentuar shkelje të ndryshme në përcaktim të kritereve të veçanta jo në raport me objektin e kontratës në fushën e procedurave të prokurimit publik.
Ai tha se fushat kryesore si shëndetësia, arsimi dhe fusha infrastrukturore janë të mbingarkuara me procese burokratike të cilat ngadalësojnë procesin e zbatimit të procedurave. Ai tha se në këto fusha është konstatuar mungesë koordinimi dhe shërbime jo në nivelin e kërkuar.
“Fushat kryesore shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura janë të mbingarkuara me procese burokratike të cilat ngadalësojnë procesin e zbatimit. Është konstatuar mungesa e koordinimit, legjislacionit, komunikimi i vonuar dhe shërbime jo në nivelin e kërkuar që janë tregues për vëmendje të shtuar në situata krizash pikërisht në këto fusha nga të cilat varemi në kohë të vështira. Kjo duhet parë nga institucionet si mundësi për të zgjuar përgjegjshmërinë. Synojmë që ky raport të ndihmojë të ndihmojë këto institucione për përmirësim të kontrollit financiar dhe ligjor”, u shpreh Shehu.