BallinaKryesorePo rrezikojnë fakultetet e mësuesisë të mbyllen apo shkollat që mund të...

Po rrezikojnë fakultetet e mësuesisë të mbyllen apo shkollat që mund të mbeten pa mësues?

spot_img
spot_img
Nga Prof.Fatmir Vejsiu

Po rrezikojnë fakultetet e mësuesisë të mbyllen apo shkollat që mund të mbeten pa mësues?
Këto ditë kam ndjekur me vëmendje qëndrimin e disa specialistëve të arsimit, të cilët janë të shqetësuar për perspektivën e fakulteteve të mësuesisë, disa edhe për perspektivën e arsimit.
Zëri i disave prej tyre duket se nuk ka rënë në vesh të shurdhër, pasi Ministria e Arsimit ka vendosur të stimuloj maturantët, kandidatë për të vazhduar studimet e larta në degët e mësuesisë me bursa dhe lehtësim të tarifave të shkollës.
Mund të ndodh, në mos është e sigurtë, që numri i studentëvë që do zgjedhin këto degë të rritet dhe “do të shpëtohen” fakultetet në fjalë nga rreziku (Mbase duhet thënë se do shpëtojnë trupi pedagogjik nga mungesa e orëve të mësimit, pra suprimimi i vendit të punës).
Duket sikur me një gur Ministria (institucioni) “vrau dy zogj”!
Në çdo profesion, suksesi nuk matet me produktin e momentit, por me rezultatet, cilësinë dhe eficiencën e këtij produkti në të ardhmen.(jetëgjatësinë)
Nuk di nëse është bërë ndonjë përpjekie për të ballafaquar fakultetet e mësuesisë me rezultatet në provimet e liçensimit e kuadrove që ato kanë përgatitur dhe pretendojnë të nisin punën si mësues.
E thënë pak më konkretisht, një universitet X përgatit mësues të lëndës A, ashtu si edhe universiteti Y. Në provimet e liçensimit rezultatet e universitetit X lenë për të dëshiruar kundrejt rezultateve të mira të universitetit Y. (Nuk është e hamendësuar situata, është diçka që unë e kam vënë re në tabelat e rezultateve të aplikantëve për mësues në një rreth të vendit)
Le të mendohet t’i jepet një zgjidhje edhe kësaj!
Ajo që na shqetëson nuk është vetëm cilësia e produktit të këtyre fakulteteve, por është edhe garancia për motivimin financiar dhe moral të këtij brezi mësuesish që do dalim nga këto fakultete.
Shpesh jemi ndeshur me kërkesat për uljen e mesatares së pranimit në këto fakultete, madje edhe nga vetë përfaqsues të fakulteteve në fjalë (atyre i intereson më shumë mbijetesa se sa produkti).
Si mund të pretendohet që të përgatisim një armatë mësuesish, që shpesh do i takojë të punojnë edhe me nxënës ekselentë, nga një kontigjent gjimnazistësh të pamotivuar me rezultate që i përgjigjen qëndrimit indifferent ndaj mësimit në përgjithësi (edukatës së punës), pse jo edhe nivelit intelektual apo prirjeve të disave prej tyre?
Cilësia e bukës nuk varet vetëm nga bukëpjekësi, por edhe nga mielli më të cilën do përgatitet ajo.
Në këtë kontekst, këmbëngul që mesatarja e pranimit jo vetëm të mos ulet, por nëse është e mundur edhe të ngrihet.
Duket si nonsense një gjë e tillë, por nuk dua ta le në hava opinionin timin.
Ka disa arsye që maturantët dhe familjet e tyre nuk i preferojnë degët e mësuesisë.
Drejtimi i kualifikimit professional, në më të shumtën e rasteve varet nga nevoja e tregut të punës dhe nga mundësia që ka çdo sector për të siguruar një mirëqenie normale. Arsimi përbën tregun me më shumë kërkesa, me më shumë nevoja, prandaj ai profesion, mësuesia, duhet të bëhet tërheqës dhe i lakmuar për brezat, prandaj dhe degët e mësuesisë duhet të jenë ndër më të kërkuarat nga maturantët dhe kandidatët e një mature.
Nuk mendoj se është lëmosha ajo që e bën këtë treg të lakmuar. Studentët dhe familjet e tyre mund edhe të sakrifikojnë për periudhën e studimeve, por me kusht që profesioni i tyre të jetë jo vetëm human, por edhe i mirëpaguar.
Me aq sa kam lexuar, në shumë vende të botës, paga e mësuesve është në top listën e rankimit të pagave të vendit (nuk thashe për Japoninë që është në vend të parë). Tek ne, paga e mësuesit është thjesht për të mbijetuar.
Nuk jam njeriu i përshtatëshëm për të treguar se si mund të përmirësohet ky tregues, por KOMPETENTET duhet ta vrasin mendjen edhe për këtë detaj.
Për të bërë shkolla të bukura dhe funksionale, dihet se ka një taksë nga pushteti vendor. Mendoj, mbase jo saktë, që këto lloj punësh janë të dukshme për elektoratin dhe investimi kthehet në votë pro ose kundër.
Sa mirë do të ishte që krahas ndërtimeve dhe ivestimeve në infrastrukturën shkollore të investohej edhe për brendinë e mësimit si edhe për pagesat e mësuesve.
Në Tiranë jepen jo pak bursa për nxënësit ekselentë dhe asnjë qindarkë për mësuesit që përgatisin nxënës ekselentë.
Mësuesit paguhen të gjithë njëlloj, sipas kategorisë së kualifikimit dhe kjo gjë më duket e paarsyeshme, jo motivuese. Nëse krahas pagës (më të mirë sesa kjo që ka sot) do ketë edhe stimuj material për mësuesit, mendoj që profesioni për të cilin po flasim do ishte edhe më i pëlqyer, më i kërkuar dhe më dinjitoz, më konkurues dhe pa dyshim më frutdhënës.
Sot thuhet se konkurimi për një vend pune bëhet nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”, ku krahas një të sapo dipllomuarit, konkuron edhe një mësues me përvojë i ardhur nga zona të tjera në kërkim të një jete më të mirë. Kuptohet që dosja e këtij të fundit është më e pasur, pasi ka kualifikimet, veprimtaritë dhe tregues të tjerë që influencojnë pozitivisht në përzgjedhje.
Këtu shikoj një pabarazi. Mësuesi me përvojë, që vjen nga zona të tjera, ka bërë një MËKAT, ka braktisur vendin e punës, ka lënë pa mësim ose është zëvendësuar përkohësisht nga një mësues pa përvojë. Sigurisht që çdo kush ka të drejtë të lëviz dhe të jetojë ku mendon se është më mirë për të, por ai do “penalizuar” (të paktën me pikë) në procesin e konkurimit.
Mungesa e këtij qëndrimi penalizon të rinjtë konkurues ende pa filluar punë, prandaj ato, ndër të tjera, nuk preferojnë të zgjedhin profesionin e mësuesit.
PRESIDENTËT tanë janë zhveshur nga shumë kompetenca, por kompetencën e dekorimeve në shumicën e rasteve nuk e lëshojnë. Nuk mbeti sportist e artist pa marë titullin “MJESHTËR” i madh, apo i merituar (nuk jam kundër), por fatkeqsisht asnjë prej Mjeshtrave nuk është mësues edhe pse çdo kush ka kaluar nga dora e tij edhe vetë Presidenti, apo KM, apo KB, apo ….
Përfundimisht duhet thënë se të gjithë duhet vrasim mendjen për mbarëvajtjen e procesit të mësimit dhe edukimit, jo me arna, por me strategji!
Respekt për punën e pa lodhur të armatës së mësuesve!
Meritojnë më shumë!
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular