BallinaKryesoreGazetari Trashgim Sokolaj: Ç'ka fshihet pas sulmeve ndaj SPAK-ut

Gazetari Trashgim Sokolaj: Ç’ka fshihet pas sulmeve ndaj SPAK-ut

spot_img
spot_img
Nga Trashgim Sokolaj

Nëse axhendën e SPAK-ut do ta bënte politika, Shqipëria do të ishte kthyer prej kohësh në një shembull të keq për të drejtën dhe drejtësia do të ishte kthyer në një barrë të rëndë gjobash për buxhetin e shtetit në gjykatat ndërkombëtare.
Nuk është e zakonshme për Edi Ramën të adresohet me sulme direkte ndaj institucioneve të përveçme për raste konkrete si ai i Dvoranit, megjithëse, ai është pasuesi më i denjë i gjuhës përçmuese, fyese e kërcënuese, madje bullizuese, të Sali Berishës ndaj organeve të drejtësisë (kujtoj fushatat linçuese për Ina Ramën, Theodhori Sollakun, Arben Rakipin, etj).
Në thelb, fushatat e Sali Berishës nuk kanë arritur asgjë, megjithatë, të akuzuarit e tij kanë përfunduar mandatin kushtetues dhe megjithë akuzat e rënda, nuk u ka hyrë gjëmb në këmbë. Mbetet për tu parë se çfarë do të arrijë fushata e Edi Ramës.
Është interesante të shikohet se në prag të dy betejave elektorale të fundit, kryeministri Edi Rama ka sjellë në rend të ditës drejtësinë, dhe njerëzit e saj duke përforcuar tonet dhe duke ashpërsuar deklaratat.
Fillimisht me anti-KÇK-në, pastaj me OFL-në, një vit para zgjedhjeve të fundit, si për tu thënë qytetarëve, se megjithëse nuk bëmë asgjë ndaj gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar në tetë vjet, ne i urrejmë ata, nuk bëjmë paqe me ta, nuk biem kurrë në ujdi, edhe pse vetingu po vonon, e madje gjatë vetingut, disa prej tyre e kanë trashur zullumin ndaj qytetarëve.
Të njëjtën fushatë, ndonëse me terma më të butë, Rama dhe mazhoranca e tij e kanë bërë në mandatin e parë, për të justifikuar ndërmarrjen e reformës në drejtësi (kujtoj fushatën linçuese ndaj gjyqtarit Gjin Gjoni, etj).
Sulmi i fundit i KM ndaj SPAK-ut si institucioni më përfaqësues i drejtësisë në vend sot, nuk po bëhet në prag të ndonjë fushate dhe rrjedhimisht duhet të shikohet parimisht si i ndarë nga interesi i mundshëm elektoral.
Informacionet e dy muajve të fundit janë se shkaku i këtij sulmi është politik dhe ka të bëjë me të paktën dy funksionarë të lartë të PS-së (njëri ish dhe tjetri ende në qeveri). Për këta dy personalitete të qeverisjes socialiste, SPAK ka në duar dosje të nxehta që kanë të bëjnë me koncesionet në shëndetësi dhe me incineratorët.
Acarimi i kryeministrit megjithëse i dalë në sipërfaqe së fundi, ka nisur së brendshmi në kohën e arrestimit të Alqi Bllakos, kur për shkak të ecurisë së hetimit të çështjeve, SPAK ishte në fazën e diskutimit të kërkesave për caktimin e masave të sigurisë ndaj një ish zyrtari të lartë të shëndetësisë për çështjen e koncesioneve në këtë sektor dhe të një zyrtari të lartë të qeverisë për çështjen e incineratorëve.
Se çfarë ka ndodhur së brendshmi nuk dihet por ende nuk kemi parë ndonjë masë ndaj këtyre dy personazheve. A është stepur e frenuar SPAK-u? Askush nuk di ta thotë. A ka tentuar sërish të veprojë ditët e fundit? Përsëri e vështirë të thuhet pa pasur prova e detaje. Megjithatë tentativa e SPAK-ut për t`iu afruar atyre personazheve, në një kohë kur pas arrestimit të Lefter Kokës, goditjet vazhduan vetëm majtas me Alqi Bllakon e të tjerë, duket se ka shkaktuar nervozizëm në nivelet e larta të njërit krah politik, ndërsa tjetri krah, ka fërkuar duart para një situate që dëmton imazhin e qeverisë e që opozita kurrë nuk arriti ta prodhojë.
Acarimi ka arritur kulmin kur është mësuar se prokuroria ishte në diskutim për dy goditje të tjera majtas, që mesa duket, janë perceptuar si një mesazh që do ti jepet publikut se vetëm këta po abuzojnë me ligjin dhe po shpërdorojnë fondet përmes korrupsionit.
Siç duket këta presin që drejtësia, pas disa goditjeve majtas, të bëjë edhe disa djathtas, por harrojnë, se drejtësia nuk mund e nuk duhet të punojë me axhendë.
Politika mesa duket do të vazhdojë të presionojë SPAK-un me qëllim për t`ia përcaktuar axhendën atje ku i ka interesat.
Dhe në këtë rast nuk ka shembull më të mirë për t`ia plasur SPAK-ut në derë sesa Dvoranin si “kampion i antikorrupsionit” dhe Berishën si e kundërta e kësaj, të dyja me certifikimet përkatëse të SHBA.
E gjitha më lart, është vetëm politikë. Dhe SPAK, me reagimin sqarues dje për çështjen e Dvoranit ka bërë hapin e parë për ti thënë politikës që mos ti përdorë çështjet e saj. Çfarë ndodhi më pas dihet, por ky është një moment kyç, ndoshta më i rëndësishmi në historinë e SPAK, që duhet të dalë mbi interesat e politikë së ditës dhe të shikojë më larg.
Nuk e kemi parë këtë gjë deri tani, por asnjëherë nuk është vonë.
SPAK nuk duhet të trembet nga sulmet e tilla të njërit krah, por as të marrë hov nga mbrojtja që po i bëjnë si qokë e rastit personazhe të opozitës.
SPAK duhet të veprojë atje ku e çojnë provat pavarësisht qurravitjeve të politikës.
May be an image of 1 person
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular