BallinaOP EDNjë ligj për shkencën dhe shkenca jashtë universitetit

Një ligj për shkencën dhe shkenca jashtë universitetit

spot_img
spot_img

Prof.dr. Aljula Jubani

Në vitin 1944, Atë Anton Harapi, mbante ligjëratën “Nji kushtrim për kulturë”, ku parashtronte platformën e tij për atë që do të ishte Instituti Shqiptar për Studimet dhe Artet, një akademi e parë që parim themelor do të kishte “Pro Cultura”.

Instituti do të jét apolitik. I vetmi movent qi do t’i japë jetë dhe lëvizje këtij organi do të jét shpirti Shqiptar i drejtuem në kulturën e përbotëshme, për t’ia mbërritjun kulturës Shqiptare.
Duhet t’a vendojmë mirë, nji herë e përgjithëmonë, se ky nuk âsht Institut nderi ase opurtuniteti, as nuk âsht vend ku do të pasqyrohen meritat e njênit apo të tjetrit; këtu vetëm do të peshohen dhe do të vleftësohen fuqit e veprat e dijes dhe t’artit shqiptár.

Kanë kaluar dhjetëra vjet dhe ende shpirti dhe inteligjenca e shqiptarit nuk po di të kthehet në një platformë të shkencës dhe të kulturës europiane. Analizojmë politikat e vendeve më të zhvilluara, por duke i kaluar në filtrin e burokracisë së një politike që nuk ndërton politika.

I tillë është propozimi më i fundit “Projektligj për veprimtarinë shkencore dhe kërkimore jashtë sistemit të arsimit të lartë, në RSh”. Ky projektligj, ndër të tjera, i shkruar me pasaktësi të shumta gjuhësore, rreket të bëhet ligj, por duket më shumë si një rregullore e brendshme e një institucioni që çuditërisht duhet të jetë “shteti shqiptar”. Një ligj, që më shumë se për shkencën, duket i shkruar për agjencitë që administrojnë fondet për shkencën.

Që në strukturën e tij dhe në vazhdim të Ligjit 80/2015, rishfaqet mendësia e margjinalizimit de facto të kërkimit shkencor, edhe pse de jure formalizohet me një kuadër ligjor.

Cili është roli që ky kuadër u parasheh universiteteve, ndërkohë që dimë se Ligji 80/2015 vetëm e përmend së largu kërkimin shkencor, kurse ky i  fundit e nxjerr krejtësisht jashtë. Po çfarë roli u shohin universiteteve ligjbërësit, nëse politikat e kthyera në ligj i trajtojnë thjesht si institucione pedagogjike?!

Ku do të zhvillohet kërkimi shkencor? Në akademi, në institute? Çfarë vendi zënë ato tek ne? Për sa për qind të popullsisë së Shqipërisë është shkruar ky projektligj? Ah, po, kjo do të justifikohej vetëm me mendësinë e një trashëgimie jo aq të largët sa ajo e Atë Anton Harapit, por shumë të afërt, me trashëgiminë e një shteti diktatorial. Tashmë edhe me ligj shkenca “e pavarur” hyn në struktura të tjera agjencish shtetërore, por duke dalë nga universiteti e duke u përqendruar përfundimisht në duart e qeverisësve.

Dhe, në këtë kaos, universitetet heshtin, për fat të keq. Janë të zëna me mbijetesën financiare dhe ekuilibrimin e “forcave”.

Ndonëse ky projektligj është shpërndarë, neve si pedagogë nuk na ka mbërritur në duar zyrtarisht. Në fund të fundit, universitetet nuk drejtohen nga një logjikë shumë e ndryshme. Cili është fondi i parashikuar nga universitetet për kërkim shkencor dhe çfarë parashikon ai? Se, natyrisht, ne organizojmë konferenca, por ato janë hapi i fundit i paraqitjes së rezultateve të punës. Sa mundësi kanë pedagogët dhe studentët të konkurrojnë për projekte kërkimore të financuara në kuadër të projekteve institucionale? Vështirë t’i japim përgjigje…

Shkenca nuk bëhet duke folur për shkencë. Në Komisionin parlamentar të Arsimit, kur diskutohej Ligji 80/2015, dy ish-ministra të Arsimit këmbëngulnin që neni 16 të shprehej: “Institucionet publike të arsimit të lartë janë persona juridikë publikë që financohen nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme, siç përcaktohet në këtë ligj. Pasi lënia e vetëfinancimit, si i pari në radhën e burimeve, duket sikur ul rolin e financimit nga buxheti i shtetit. Bëhet fjalë për institucionet publike të arsimit të lartë, për shkak se financimi nga buxheti i shtetit është gjithmonë parësor”.

Por kjo logjikë nuk pasqyrohet as në këtë projektligj. Duket se shqyrtimi i reformave të ngjashme në vendet e zhvilluara prodhon edhe kësaj radhe një hibrid që nuk mund të mbillet këtu. Të sjell ndërmend reformën e fundviteve ‘90 për kërkimin shkencor në Itali, ndonëse ajo i shihte të integruara të gjitha institucionet kërkimore, natyrisht edhe universitetet. Nga analizat e atëhershme, Franca dhe Gjermania zinin 75% të patentave të regjistruara në nivel europian, kurse Italia rreth 35%. Bëhej fjalë për një situatë të institucioneve kërkimore, ku universitetet zinin 39.60%, kurse qendrat e tjera kërkimore zinin 41.80% dhe administrata shtetërore vetëm 16.60%. Në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare, mund të flitet për deri 10 patenta të deklaruara nga 0.7% e stafit akademik.

Po cila është panorama e shpërndarjes së institucioneve kërkimore, që të justifikojë këtë ligj? Jemi një vend ku edhe aq sa bëhet për kërkimin shkencor, rreth 90% e zë puna në universitete, ndaj nuk mund të kuptohet një projektligj i tillë, që lë jashtë universitet.

Duket se kërkimi shkencor duhet të zhvillohet bazuar vetëm në projekte me financim nga BE-ja. Po a e kemi ne infrastrukturë të tillë që të konkurrojmë me kolegët tanë në vendet fqinje. Sigurisht që kush ka qenë pjesë e këtyre projekteve e di mirë me sa vështirësi burokracish, mangësi infrastrukturore teknike dhe njerëzore është përballur. Mjafton t’u referohemi të dhënave zyrtare të AKKSHI-t për të parë se nga 150 projekte rajonale fituese, në vitin 2017, Shqipëria ka vetëm 6, Bosnja 14, Serbia 91. Në Horizon 2020, për vitin 2017, Serbia ka marrë rreth 30 milionë euro, kurse Shqipëria vetëm 1.5 milionë euro.

Prej vitesh rekomandimet e Komisionit Europian i kërkojnë Shqipërisë të bëjë përpjekje institucionale e ligjore për t’u përafruar me objektivat e BE-së për inovacionin. Por ky kuadër ligjor mendoj se nuk mund t’u shërbejë as edhe objektivave të renditur në dokumentin e përpiluar për strategjinë kombëtare të kërkimit shkencor 2017-2020.

Ndërkohë që kemi ngritjen e një rrjeti agjencish, që sigurojnë një fasadë të mirë, a shohim zhvillime të qëndrueshme? Do të kemi KNPSHZHTI-n, do të kemi KALKSH-in etj. Po shkenca? Mjafton të kujtojmë se buxheti i shtetit parashikon një financim për një të dënuar mbi 10 herë më shumë se për një student, ndaj ndoshta kemi numrin më të ulët në rajon të kërkuesve dhe të pedagogëve për numër popullsie, ndërkohë që kemi numrin më të lartë të të burgosurve për numër popullsie. Kjo është fatkeqësi për një shoqëri që çdo ditë i largohet truri dhe energjia njerëzore, në kërkim të një jete dinjitoze larg Shqipërisë.

Politikat e kërkimit duhen parë si nevoja strategjike për zhvillimin e vendit drejt modernizimit të tij, duke synuar t’ia dalim të jemi konkurrues në nivel rajonal, europian e më tej. Kjo bëhet e mundur vetëm duke rritur kapacitetet kërkuese dhe inovative. Për këtë duhet një reformë e guximshme, vizionare, ndoshta e drejtuar nga një komision parlamentar (sikur të kishim një parlament funksional!) me pjesëmarrjen e komunitetit shkencor, të biznesit etj.

Në një shoqëri, gjithnjë e më shumë në rrugën e globalizimit, kërkimi nuk mund të shihet si një mall i zakonshëm, që u nënshtrohet rregullave të tregut. Politika shtetërore dhe jo thjesht qeverisëse duhet ta shohin me përparësi investimin në kapacitetet njerëzore, formimin dhe aftësimin e të rinjve, përmes kërkimit shkencor dhe kontribuimit në një shoqëri që thyen skemat tradicionale, të cilat priren të mbajnë gjithçka nën kontrollin e “censorëve” të oligarkive ekonomike e financiare, që kushtëzojnë politikat. Le të ndërtojmë një strategji kombëtare “Pro Cultura”!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular