Në cilësinë e kryetares së Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku nuk i kurseu akuzat në drejtim të qeverisë sa i takon çështjes së integrimit. Sipas saj, qeveria po fshihet pas vetos bullgare, ndërsa shtoi se krimi i organizuar po ‘trimërohet’.
“Sipari i disa tryezave raportuese të KKIE, persa i përket 6 parakushte për hapjen e negociatave dhe me mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, ka qenë traditë që të kishte debat në parlament, por kjo gjë nuk ka ndodhur, ndaj shpresoj që ky takim të jetë një mundësi e mirë për një qasje të re për rolin mbikëqyrës që duhet të ketë Parlamenti për integrimin Europian. Kryeministri Rama po e përdor veton Bullgare si pengesa kryesore për avancimin e procesit të integrimit europian, por në fakt kjo është thjeshtë një retorikë politike, dhe detyrat e qeverisë shqiptare janë tashmë shumë të qarta ku kriteri ndaj luftës ndaj krimit të organizuar është ndër kryesoret. Duhet shtuar që ky është një proces i vazhdueshëm, dhe përgjegjësi për të gjithë ne si anëtarë në KKIE por dhe vetë deputetëve të ushtrojnë të gjithë kontrollin parlamentar.”, tha ajo.
Tabaku në fjalën e parë të saj ndahu tre çështje thelbësore të cilat po trajtohen në këtë takim. “Së pari duke iu referuar progres raportit të Komisionit Europian, çështjet mbi krimin e organizuar mbeten mjaft të ndjeshme. Duke iu referua Progres raportit, ku thuhet se “krimi i organizuar mbetet një shqetësim. Raporti thekson se përpjekjet dhe vullneti politik duhet të rriten në drejtim të konsolidimit të historikut të sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale, si dhe krijimit të një historie solide në luftën kundër krimit të organizuar. Nga të dhënat zyrtare deri më tani numri i zyrtarëve të lartë të cilët janë nën hetim mbetet i ulët, duke theksuar se hetimet nuk përfunduar me vendim dënimi nga gjykata.”.
Këtu duhet të ndalemi dhe tek një element i rëndësishëm, siç është krimi zgjedhor që për opozitën ka ndjeshmëri edhe më të madhe, kur shohim një qasje të penguar ndaj dy dosjeve të çështjeve 184 dhe 339, çka dëshmon edhe një herë mungesën e theksuar të pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë. Së dyti është çështja që ka të bëjë me pastrimin e parave dhe korrupsionit. Prej dy vitesh Shqipëria është futur në listën gri të MoneyVal çka dëshmon dhe një mungesën e vullnetit politik për të luftuar krimin e organizuar. Duke iu referuar raportit të SHISH se “Krimi i organizuar në Shqipëri ka një lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe ka adaptuar mënyra të ndryshme të ndërveprimit kundër agjencive ligjzbatuese. Grupet kriminale në vend kanë pak a shumë të njëjtin “format” të biznesit; trafik droge dhe trafik lëndësh të palejueshme, krime ekonomike, kontrabandë dhe kështu me radhë.”
Së treti, për Komisionin Europian me rëndësi ngelen dhe çështja e emigracionit, ku kërkohen përpjekje të konsiderueshme nga ana e qeverisë çka dëshmon një vullnet të ulët politik. Duke e përmbyllur duhet kërkuar dhe Ministrit Çuçi se çfarë është duke bërë aktualisht me ekipin negociator për integrimin europian duke qenë se krimi i organizuar dhe çështjet ndërlidhëse mbeten ndër elementët kryesore për dosjen e punës me mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, përkatësisht kapitulli 23 dhe kapitulli 24 në Clustër të Parë.”, tha ajo.