Presidenti i PE, Antonio Tajani: Në Shqipëri, “luftë civile” midis qeverisë dhe opozitës

0
259

Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani në kuadër të një vizite në OKB e quan situatën në Shqipëri shumë të vështirë dhe stabilitetin e Ballkanit shumë të rëndësishëm për Europën. Kryetari i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, e quan shumë të vështirë situatën në Shqipëri, ku ka filluar një “luftë civile”, (në thojza), midis qeverisë dhe opozitës. Këto komente, Antoni Tajani i bëri në kuadër të një vizite në SHBA, gjatë të cilës ai qëndroi edhe në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York.

Mbas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Antonio Tajani tregoi në konferencën e shtypit (28.02) se ka folur me Sekretarin e Përgjithshëm Antonio Guterres për Ballkanin, sepse “Ballkani është një çështje me të cilën ne merremi vazhdimisht. Stabiliteti i Ballkanit është po ashtu stabilitet i Europës”.

Ai shpjegoi se kanë folur për situatën në Shqipëri: “sepse situata është shumë e vështirë. Është “luftë civile” (në thojza) midis qeverisë dhe opozitës. Kjo është shumë e rrezikshme për stabilitetin”.

Kryetari i PE, thotë po ashtu se në Ballkan ”duhet të shohim çfarë investimesh vijnë nga jashtë rajonit. Aty bëhen investime me diferenca të ndryshme, jo vetëm europiane por edhe ruse, arabe dhe turke. Kjo është lojë e vështirë”. Ai thotë se Europa duhet të jetë aktive, por edhe e matur në Ballkan.

I pyetur për vendosje sanksionesh kundër Milorad Dodikut, në Bosnjë Hercegovinë, ai thotë se “nuk është një vendim që e marrim ne” dhe kërkon që të punohet për të arritur një zgjidhje të mirë, një marrëveshje midis palëve të ndryshme.

Presidenti i Parlamentit Europian e quan situatën në Bosnjë Hercegovinë më të komplikuar se në Kosovë. Lidhur me pyetjen për vendosje sanksionesh kundër Dodikut, ai tha: “Ne duhet të jemi të matur dhe të punojmë për të gjetur një zgjidhje. Ne si Parlament Europian jemi të angazhuar për paqe, në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në mbrojtje të ligjeve. Sa i përket sanksioneve ne duhet të jemi të matur, në këto momente”.

I pyetur nga gazetarët pse Bashkimi Europian nuk ka aprovuar heqjen e vizave për Kosovën, Tajani tha se kjo është një çështje e vendeve anëtare. Çështje të tjera që Tajani ka diskutuar me Guterres kanë qenë: Venezuela, Mesdheu dhe çështja e migrantëve, Afrika dhe lufta kundër terrorizmit, klima dhe konflikti Indi- Pakistan. Aida Cama-DW