Gazment Bardhi i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha i cili tha se janë marrë peng nga kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla lidhur me çështjen e presidentit të ri.
Përmes një reagimi në rrjete sociale Bardhi shkruan se sipas tij Berisha po poshtëron veten duke mos u ndaluar edhe pas shpalljes non grata nga SHBA.
Sipas Gazment Bardhit, Sali Berisha po përpiqet të shpifë për këdo në PD “që nuk është mburojë e tij”.
“Poshtërimi i vetvetes dmth të jesh damkosur ndërkombëtarisht se ke përdorur pushtetin për të pasuruar familjarët, dhe të mos ndalesh, por të kërkosh ti pasurosh akoma, duke marrë peng PD dhe duke baltosur me shpifje këdo që nuk është në PD si mburojë për familjen tënde“, shkruan Bardhi.
Më herët Berisha publikoi një karikaturë ku e pasqyronte Enkelejd Alibeajn, Gazment Bardhin dhe Taulant Ballën në lidhje me negociatat për zgjedhjen e presidentit. “Sekt i vetposhtërimit”, shkruan Berisha.